**Bashkimi Evropian Ndalon Përdorimin e Inteligjencës Artificiale në Komunikimet Zyrtare**
Të tre institucionet kryesore të Bashkimit Evropian – Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian – kanë vendosur të ndalojnë përdorimin e imazheve dhe videove të krijuara plotësisht nga Inteligjenca Artificiale (IA) në të gjitha komunikimet e tyre zyrtare. Ky vendim u bë i ditur sot nga zyrtarë për median “Politico”, lajm i transmetuar edhe nga agjencia Anadolu.
Ky kufizim synon të mbrojë besueshmërinë dhe besimin e publikut, pasi përmbajtjet sintetike po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë dallimin mes asaj që është autentike dhe asaj që është e sajuar.
“Imazhet dhe fotot që ne përdorim dhe vëmë në dispozicion të gazetarëve apo për qëllime informimi zyrtar, nuk përfshijnë përmbajtje të gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale,” theksoi Thomas Regnier, duke shtuar se “autenticiteti” mbetet një përparësi kyçe.
Megjithatë, mjetet e Inteligjencës Artificiale mund të përdoren ende për të përmirësuar pamjet ekzistuese, si për shembull rritja e cilësisë së tyre. Por, imazhet apo videot tërësisht sintetike mbeten të ndaluara.
Ekspertët e fushës shprehen se ky qëndrim i kujdesshëm reflekton shqetësime legjitime, por nga ana tjetër, mund të kufizojë efektivitetin e komunikimit në një mjedis dixhital me zhvillim kaq të shpejtë.
Ky veprim i BE-së vjen pas një hetimi të fundit të Komisionit Evropian ndaj platformës X dhe chatbot-it të saj, Grok, bazuar në Aktin e Shërbimeve Dixhitale. Hetimi ishte përqendruar te sistemet e rekomandimit dhe imazhet e seksualizuara.
