Bashkimi Evropian kërkon nga Kosova të ndërmarrë hapat e parë për vetëmenaxhimin e komunitetit serb, zbatim të marrëveshjeve të Dialogut

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës të ndërmarrë hapat e parë për krijimin e një niveli të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb. Ky kërkim vjen në kuadër të zbatimit të plotë të marrëveshjeve të arritura në Dialogun e Brukselit, përfshirë Marrëveshjen e vitit 2013, e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, e cila parashikon Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, si dhe Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023.

Një zëdhënës i BE-së, në një përgjigje për Gazetën Express, theksoi se Kosova është zotuar në Ohër, në vitin 2023, të krijojë rregullime dhe garanci specifike për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb. Kjo e drejtë specifikohet në Nenin 7 të Marrëveshjes së Ohrit, e cila u arrit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e Miroslav Lajçak dhe Josep Borrell.

Zëdhënësi saktësoi se “BE-ja pret që si Kosova ashtu edhe Serbia të respektojnë dhe të zbatojnë plotësisht të gjitha obligimet e tyre nga Dialogu, përfshirë Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, e cila është ratifikuar me shumicë prej 2/3 në Kuvendin e Kosovës. Në nenin 7 të Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023, Kosova është zotuar të krijojë rregullimet dhe garancitë specifike për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë. BE-ja pret që Kosova të ndërmarrë hapat e parë në këtë drejtim.”

Çështja e krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si dhe ajo e vetëmenaxhimit që buron nga Marrëveshja e Ohrit, vazhdimisht i janë parashtruar Kosovës si zotime që duhet të implementohen. Krijimi i Asociacionit është lidhur, madje, edhe me rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.