Bebe Rexha bisedon shqip me kushëririn 8-vjeçar: “Ishalla i gjejmë Bebes një burrë!”
Këngëtarja me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, me origjinë shqiptaro-amerikane, ka ndarë së fundmi me ndjekësit e saj një moment të ëmbël familjar, ku ajo shihet duke biseduar rrjedhshëm në gjuhën shqipe me kushëririn e saj tetëvjeçar.
Në një video të postuar në profilin e saj në Instagram, Rexha dëgjohet duke pyetur të voglin për një shprehje që ai kishte përdorur më parë, gjë që shkaktoi të qeshura mes tyre.
“Si the ti, ‘ishalla do t’i gjejmë Bebes një burrë’?” – dëgjohet t’i thotë këngëtarja kushëririt. – “Pse? Se jam e vjetër pak, apo jo?”
Më pas, ajo e pyet për moshën. Kur i vogli përgjigjet se është tetë vjeç, Rexha me dashuri i thotë në shqip: “Sa i mençur!”
Ky moment ka tërhequr vëmendjen e fansave, duke theksuar edhe një herë lidhjen e fortë të këngëtares me gjuhën dhe trashëgiminë kulturore shqiptare.
Bebe Rexha është rritur në një familje shqiptare në New York dhe gjatë viteve ka folur shpesh me krenari për origjinën e saj dhe lidhjen e pashkëputur me vendin e të parëve.
