Bedri Hamza, kandidati i PDK-së për Kryeministër, ka premtuar se nëse zgjidhet në krye të Qeverisë, do të nisë menjëherë projektin për lidhjen e Kosovës me korridoret rajonale të gazit natyror dhe do të krijojë një partneritet strategjik energjetik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky veprim, sipas Hamzës, do t’i japë fund varësisë së vendit nga importet e shtrenjta të energjisë. Ai theksoi se Qeveria aktuale ka refuzuar mundësinë për lidhjen e Kosovës me gazin natyror të lëngshëm amerikan (LNG), duke e lënë kështu vendin më të ekspozuar ndaj pasigurisë energjetike dhe importit me kosto të lartë.
Hamza ka bërë të ditur se vetëm në pesë vitet e fundit, Kosova ka shpenzuar rreth 1 miliard euro për importin e energjisë elektrike, duke e cilësuar këtë si dëshmi të qartë se vendi ka nevojë për burime të reja, më të sigurta dhe më të përballueshme energjie.
Në statusin e tij të plotë, kandidati i PDK-së theksoi se Kosova mbetet i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk është i lidhur me rrjetet e gazit natyror. Ai shtoi se gazsjellësi Aleksandrupoli–Shkup, që do të transportojë LNG-në amerikane, do të kalojë vetëm rreth 15 kilometra larg kufirit të Kosovës, duke paraqitur një mundësi reale që nuk duhet humbur.
Hamza premtoi se si kryeministër do ta ndryshojë këtë qasje, duke garantuar më shumë siguri energjetike, ulje të ndotjes, rritje të investimeve dhe energji më të përballueshme për qytetarët dhe bizneset. “Nuk mund të ndërtojmë ekonomi moderne me politika të shekullit të kaluar. Kosovës i duhet vizion, jo improvizim!” – përfundoi Hamza.
