Behrami kritikon mundësinë e gjendjes së jashtëzakonshme, pretendon ankth te Kurti për verdiktin e 16 shtatorit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka reaguar ashpër ndaj mundësisë së shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, duke e cilësuar këtë veprim si “shkatërrues” në rrethanat aktuale politike.
Behrami ka theksuar se gjendja e jashtëzakonshme shpallet nga Presidenti, në konsultim me kryeministrin legjitim, dhe vetëm në rrethana tejet specifike.
Ai ka shtuar se “në një situatë kur nuk kemi institucione të konstituuara, një shpallje e tillë do të ishte shkatërruese”.
Sipas Behramit, vendimi që pritet të merret më 16 shtator për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) po i shkakton ankth kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Ai ka pretenduar se një shpallje e mundshme e gjendjes së jashtëzakonshme në shtator do të mund të kishte për qëllim parandalimin e tubimeve apo protestave masive, qoftë në rast të lirimit të ish-udhëheqësve të UÇK-së, qoftë në rast të një verdikti dënues.
“Verdikti i 16 shtatorit po i shkakton ankth Albin Kurtit”, ka deklaruar Behrami.
