Të paktën 36 persona kanë pësuar lëndime si pasojë e një zjarri masiv që përfshiu qytetin Omiš në Kroaci, mbrëmjen e së enjtes.

Sipas mediave kroate, 14 nga të lënduarit janë shtruar në spital, ndërkohë që pjesa tjetër është liruar pas marrjes së trajtimit mjekësor të nevojshëm.

Shtatë prej pacientëve të shtruar ndodhen në kujdes intensiv. Gjendja e tyre raportohet si kritike, pasi kanë pësuar djegie të rënda.

Shumica e të lënduarve kanë marrë trajtim për djegie, ndërsa disa të tjerë kanë shfaqur probleme me frymëmarrjen si pasojë e tymit të dendur.

Zjarri është përhapur gjatë gjithë natës në disa zona, i nxitur edhe nga era e fortë. Kjo situatë detyroi evakuimin e qindra banorëve.