Florian Bieber, drejtor i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore, duke folur për vendimin e djeshëm të Gjykatës Speciale, ndaj ish-krerëve të UÇK’së, është shprehur se ai nuk pret që aktgjykimi të ndryshojë në mënyrë thelbësore narrativët historikë për luftën e Kosovës.
“Dyshoj se do të ndodhë. Aktgjykimet e mëparshme të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe gjykatave të tjera nuk i kanë ndryshuar në mënyrë thelbësore narrativët historikë”, thotë Bieber për Radion Evropa e Lirë.
Për të, duhet bërë një dallim themelor ndërmjet punës së gjykatës dhe asaj të historianit.
Procesi penal kërkon të përcaktojë nëse individë konkretë mbajnë përgjegjësi penale për krime konkrete. Historia kërkon një pamje më të gjerë: kontekstin politik dhe ushtarak, zhvillimet në terren, raportet mes strukturave dhe shoqërisë dhe një shumëllojshmëri burimesh që nuk kanë domosdoshmërisht të njëjtën peshë në një sallë gjyqi.
Në rastin Thaçi dhe të tjerët, një prej çështjeve qendrore ishte mënyra se si funksiononte UÇK-ja dhe raporti i katër të akuzuarve me strukturat e saj.
Bieber thotë se shumica e studiuesve dhe vëzhguesve e kanë parë UÇK-në si një strukturë relativisht të decentralizuar, pa një hierarki të fortë, dhe nuk pret që një aktgjykim i vetëm ta përmbysë këtë interpretim.
Por, kjo nuk e bën procesin gjyqësor të parëndësishëm për historianët.
Në gjykim u dëgjuan më shumë se 130 dëshmitarë dhe u administrua një sasi e madhe materialesh.
Për studiuesit, vlera e një procesi të tillë mund të jetë jo vetëm te përfundimet juridike të gjykatës, por edhe te materiali që ai ka nxjerrë në sipërfaqe.
“Sigurisht që kjo do t’i nënshtrohet hulumtimit. Do të theksoja se ekziston një dallim ndërmjet asaj që është interesante dhe relevante për një hetim penal dhe hulumtimit historik. Pyetjet janë të ndryshme, pasi historia rrallë merret me përcaktimin e përgjegjësisë. Megjithatë, historianët e konfliktit dhe të UÇK-së do të duhet të merren me këtë rast”, thotë Bieber.
