BIRN: Automjetet e përdorura në sulmin e Banjskës lidhen me rrjetin e kompanive të Veselinoviqit dhe Radoiçiqit

Duke analizuar origjinën e dy automjeteve Mercedes G-Class, të përdorura në sulmin e Banjskës, BIRN ka zbuluar një rrjet kompanish që po monopolizojnë tregun serb të infrastrukturës energjetike dhe transportit, duke përfituar miliona euro nga fondet publike.

Në shtator 2023, kur policia e Kosovës shfaqte arsenalin e fuqishëm të konfiskuar nga një grup i armatosur serb, i akuzuar për vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku, dy automjete luksoze dukeshin në prapavijë.

Të dyja ishin automjete luksoze terreni (SUV) me tërheqje 4×4, të prodhuara nga Mercedes Benz.

Në atë kohë, vëmendja mediatike u përqendrua te armatimi i nivelit ushtarak – mina kundër personelit, predha mortajash, raketahedhës kundër tankeve, pushkë, municion dhe uniforma – të përdorura në atë që autoritetet e Kosovës e cilësojnë si një përpjekje të sponsorizuar nga Serbia për ndarjen e veriut të vendit, të banuar nga serbët.

Serbia ka mohuar çdo përfshirje në sulmin e armatosur. Megjithatë, automjetet dëshmojnë për një lidhje të thellë mes shtetit serb dhe bizneseve të kontrolluara nga Milan Radoiçiq, i cili ka pranuar se organizoi sulmin, si dhe nga bashkëpunëtorët e tij.

Një hetim i BIRN-it i ka gjurmuar automjetet deri tek një kompani makinash me qira me seli në Beograd, e quajtur “Pent Rent”. Kjo kompani është pjesë e një rrjeti biznesesh të lidhura me dy serbë të Kosovës, Zvonko Veselinoviq dhe Millan Radoiçiq. Ky rrjet, i cili përfshin edhe një kompani të infrastrukturës elektrike në pronësi të “Pent Rent”, ka përfituar nga një sërë kontratash me shtetin serb.

Radoiçiq ka pranuar se ka udhëhequr sulmin e shtatorit 2023 ndaj një patrulle të Policisë së Kosovës në Banjskë, por u largua në Serbi, ku aktualisht është i lirë.

Radoiçiq dhe Veselinoviq janë nën sanksione të Shteteve të Bashkuara që nga viti 2021, për përfshirje të dyshuar në krim të organizuar. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar rrjetin e bizneseve që ata drejtojnë të fitojë miliona euro të ardhura, veçanërisht në sektorët e energjisë dhe transportit publik.