Një përpjekje e fundit për zgjidhje me pajtim mes aktorëve Blake Lively dhe Justin Baldoni ka dështuar, duke bërë që çështja e ngritur nga Lively për ngacmim seksual dhe ndëshkim të shkojë përpara në gjykatë.

Sipas raportimit të Daily Mail, një seancë ndërmjetësimi me gjykatësin në New York City të hënën nuk arriti të mbyllte rastin përmes një marrëveshjeje jashtëgjyqësore.

Gjatë kësaj përpjekjeje për pajtim, ekipet e avokatëve u ftuan në takime të veçanta për të shprehur pozicionet e tyre mbi një marrëveshje të mundshme, përpara se çështja të kalojë në gjykim.

Së fundmi, gjyqtari pushoi 13 nga pretendimet që Lively kishte ngritur kundër Baldoni-t, duke lënë vetëm tre pretendime në shqyrtim: shkelje kontrate, ndëshkim dhe ndihmë në ndëshkim.

Ekipi i mbrojtjes së Baldoni-t e përshkroi vendimin e gjykatës si një fitore të rëndësishme:
“Jemi shumë të kënaqur që gjykata hodhi poshtë të gjitha pretendimet për ngacmim seksual dhe çdo pretendim kundër të akuzuarve individualë.”

Nga ana e saj, Blake Lively u shpreh në Instagram, duke theksuar se padinë e kishte ngritur për shkak të “ndëshkimit të vazhdueshëm” që ajo pretendon se përjetoi kur kërkoi një mjedis pune të sigurt për veten dhe të tjerë.

Aktorja gjithashtu shprehu mirënjohjen për mundësinë që do të ketë të shpjegojë plotësisht versionin e saj të ngjarjeve në gjykatë në seancën e caktuar për datën 18 maj.

Ndonëse pjesa më e madhe e akuzave për ngacmim seksual u pushuan nga gjyqtari, Lively ka publikuar citime nga vendimi gjyqësor që, sipas saj, vërtetojnë se ajo ka paraqitur prova të mjaftueshme për pretendimet e saj lidhur me ndëshkimin dhe krijimin e një mjedisi pune armiqësor nga pala kundërshtare.

Avokatët e saj kanë sqaruar se pushimi i pretendimeve për ngacmim seksual nuk do të thotë se nuk ka ndodhur keqtrajtim, por se gjykata i pushoi ato duke e cilësuar Lively-n si kontraktore të pavarur, jo punonjëse.