Banka për Biznes (BPB), në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), organizoi panelin e diskutimit me temën “Vendimet, sfidat dhe mësimet nga përvojat reale të bizneseve”, në kuadër të diskutimeve për rritjen, zhvillimin dhe zgjerimin e ndërmarrjeve në tregjet vendore dhe ndërkombëtare, raporton Ekonomia Online.

Në panelin “Faktori i Rritjes” morën pjesë Gent Lajqi, CEO i Rroni Fer Sh.P.K., Arlinda Lajqi nga Gerti Foods Sh.P.K. dhe Visar Dobroshi nga Recura Financials, të cilët ndanë përvojat e tyre lidhur me investimet, rritjen e kapaciteteve prodhuese, eksportin, njohjen e tregut dhe rëndësinë e vendimmarrjes së bazuar në analiza të detajuara.

Gent Lajqi, CEO i Rroni Fer Sh.P.K., theksoi se rritja e kapaciteteve prodhuese dhe investimet e vazhdueshme janë të domosdoshme për rritjen e efikasitetit dhe forcimin e konkurrueshmërisë, si në tregun vendor, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

“Për shkak të investimeve dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese, kemi synuar të bëhemi më efektivë. Rritja e kapacitetit të prodhimit ndikon që kostoja për njësi të dalë më konkurruese, duke përfshirë si tregun vendor, ashtu edhe tregun e jashtëm”, u shpreh Lajqi.

Duke folur për sfidat e depërtimit në tregjet ndërkombëtare, ai veçoi skepticizmin fillestar ndaj produkteve të prodhuara në Kosovë, veçanërisht sa i përket cilësisë dhe përmbushjes së standardeve të kërkuara nga tregjet evropiane.

“Vazhdimisht jemi munduar të hyjmë edhe në tregje të reja, mirëpo pengesat kryesore i kemi pasur te bindja që ekzistonte se nga Kosova mund të mos vinte prodhim me cilësinë e kërkuar, sidomos në vendet e Bashkimit Evropian. Në vitin 2021, kur kemi nisur fillimisht në Mal të Zi, ka pasur skepticizëm shumë të madh, sepse kanalet e furnizimit për shumë vite, ishin të orientuara kryesisht nga Serbia dhe Bosnja. Kishte hezitime nëse i kishim kapacitetet e duhura për t’i përmbushur standardet e kërkuara”, tha ai.

Sipas Lajqit, hyrja në tregjet e reja kërkon durim, ndërtim të besimit dhe krijim të marrëdhënieve afatgjata me partnerët e biznesit. Ai theksoi se kompania ka ndjekur një qasje graduale, duke u fokusuar fillimisht në dëshmimin e cilësisë dhe besueshmërisë së produkteve.

“E kërkon durim. Ne nuk kemi dashur të ngutemi, por kemi ecur gradualisht. Fillimisht kemi dashur t’i bindim partnerët dhe të krijojmë një relacion afatgjatë. Sot kemi arritur të kemi mbi 50 për qind të tregut në Mal të Zi. Referencat na kanë ndihmuar të zgjerohemi edhe në tregje të tjera, përfshirë Kroacinë, e cila është vend i Bashkimit Evropian dhe ka standarde të ndryshme”, theksoi Lajqi.

Ai foli edhe për rëndësinë e certifikimit dhe auditimeve të vazhdueshme, të cilat, sipas tij, e kanë ndihmuar kompaninë të përshtatet me kërkesat e tregjeve ku operon dhe të përmirësojë vazhdimisht proceset e prodhimit.

“Në aktivitetin tonë kërkohet certifikimi i produktit. Nuk ka rregulla të uniformuara, por certifikimi mund të bëhet nga secili shtet veç e veç. Gati çdo gjashtë muaj kemi auditime nga shtetet ku jemi prezentë, që mesatarisht do të thotë se kemi auditime pothuajse një herë në muaj. Kjo na ka bërë të kalojmë në një nivel tjetër dhe të punojmë sipas standardeve që kërkohen. Sot në Kosovë punohet njësoj si në Gjermani apo në vendet e tjera të zhvilluara”, u shpreh ai.

Lajqi shtoi se vizitat e partnerëve dhe klientëve ndërkombëtarë në kompaninë e tyre kanë ndikuar në ndryshimin e perceptimit për kapacitetet prodhuese në Kosovë, duke krijuar mundësi të reja për zgjerim.

“Ai skepticizëm që ka ekzistuar më herët ka ndryshuar komplet në momentin kur partnerët kanë ardhur, na kanë vizituar dhe e kanë parë nivelin ku jemi. Kjo na jep motiv të vazhdojmë më tutje dhe na tregon se ka potencial për rritjen e kapaciteteve prodhuese. Vendimet për investime në këto kapacitete na kanë bërë që sot të jemi më efektivë dhe të arrijmë nivelin ku jemi”, tha Lajqi.

Në përfundim, ai nënvizoi se industria e rëndë kërkon investime të vazhdueshme dhe përshtatje me zhvillimet teknologjike, në mënyrë që bizneset të ruajnë konkurrueshmërinë në një mjedis që ndryshon vazhdimisht.

“Është një industri e rëndë, ku investimet janë të vazhdueshme. Me rrethanat e sotme dhe me ndryshimet që po ndodhin vazhdimisht, duhet të ecim në hap me teknologjinë, në mënyrë që të jemi konkurrues në treg”, theksoi ai.

Arlinda Lajqi nga Gerti Foods Sh.P.K. ndau përvojën e kompanisë në eksport dhe shpjegoi se hyrja në tregun evropian i ka vënë përballë një kërkese shumë më të madhe sesa kapacitetet që kishin në dispozicion në atë fazë.

“Në fakt, kur kemi eksportuar në fund të vitit 2024, që ka qenë eksporti i parë, kemi parë se tregu evropian ka qenë shumë i madh, ndërsa ne kemi qenë shumë të vegjël për t’i përmbushur kërkesat e klientëve. Përkundër dëshirës që çdo pronar biznesi apo ndërmarrës ka për ta parë brendin e vet në Evropë, ne kemi bërë të kundërtën”, u shpreh Lajqi.

Ajo theksoi se kompania ka vendosur të heqë dorë nga plasimi i produkteve nën brendin e vet në këtë fazë, duke u përshtatur me kërkesat e klientëve dhe duke përdorur modelin private label, ku produktet tregtohen nën markën e klientit.

“Kemi hequr dorë nga brendi ynë dhe jemi përshtatur me kërkesat e klientit, sepse rritja do të ishte më e madhe nëse do të përshtateshim me modelin private label”, tha ajo.

Sipas saj, kjo qasje u ka mundësuar të shfrytëzojnë rrjetet ekzistuese të distributorëve në tregjet e huaja, duke shmangur kostot më të larta që do të sillte hapja e filialeve të vogla në disa vende evropiane.

“Kjo është praktika që kemi ndjekur për Evropën, për t’u rritur në më shumë shtete. Ka qenë më e lehtë ta plasojmë produktin në treg përmes distributorëve jashtë vendit, sepse ata e kanë rrjetin, shpërndarjen dhe të gjitha mënyrat e operimit, sesa të fillonim me disa filiale të vogla nëpër Evropë, ku kostot do të ishin shumë më të mëdha”, theksoi Lajqi.

Visar Dobroshi nga Recura Financials vuri në pah rëndësinë e njohjes së klientit dhe të tregut për marrjen e vendimeve të duhura në biznes. Sipas tij, kjo njohje nuk duhet të mbështetet vetëm në përshtypje apo opinione, por në analiza të strukturuara dhe në parashtrimin e pyetjeve të duhura.

“Njohja e klientit dhe e tregut nuk është çështje opinioni, por është çështje e një analize të detajuar, e cila zakonisht bëhet me pyetjet e duhura. Edhe pyetjet e duhura kërkojnë dëgjuesin e duhur, që dëgjon pa e ndërprerë tjetrin para se ta përfundojë përgjigjen”, u shpreh Dobroshi.

Ai theksoi se gjatë analizimit të sfidave të një biznesi është e rëndësishme që këshilluesit dhe konsulentët të dëgjojnë me kujdes, në vend që të nxitojnë me gjykime, këshilla ose krahasime të bazuara në përvoja të tjera.

“Duhet të dëgjosh deri në fund, në vend që, pa e përfunduar tjetri përgjigjen, të fillosh me pyetje si ‘pse s’e ke bërë kështu’ apo ‘pse s’po e bën kështu’, ose të fillosh menjëherë me ndonjë anekdotë apo përvojë të caktuar. Duhet të dëgjosh deri në fund dhe të kesh pyetje të strukturuara. Aty, mendoj se qëndron rëndësia e kërkimit apo përzgjedhjes së një konsulence për një problem të caktuar të biznesit”, tha ai.

Dobroshi trajtoi edhe çështjen e menaxhimit financiar, duke theksuar se bizneset duhet të kuptojnë dallimin mes profitabilitetit dhe qarkullimit të parasë (cash flow). Sipas tij, përqendrimi vetëm te fitimi, pa e kuptuar se kur realizohen të hyrat dhe kur mund të tërhiqen mjetet financiare, mund t’i ekspozojë ndërmarrjet ndaj sfidave të tjera.

“Përcaktimi i marzheve dhe menaxhimi i cash flow-it është një tregim shumë i gjatë. Njerëzit duhet të merren me profitabilitetin, por shpesh nuk merren me qarkullimin e parasë dhe me pyetjen se kur po i marrin ato para. Pastaj hyjnë në plot procedura të tjera, ku edhe juristët i dinë dhe i këshillojnë shumë mirë njerëzit se si t’i trajtojnë ato probleme”, u shpreh Dobroshi.

Ai shtoi se trajtimi i këtyre çështjeve kërkon edhe vëmendje ndaj procedurave ligjore, në mënyrë që bizneset të kuptojnë si t’i menaxhojnë dhe t’i zgjidhin problemet që lidhen me realizimin e mjeteve të tyre financiare.

“Duhet të trajtohen edhe në aspektin ligjor, në mënyrë që njerëzit të mund t’i nxjerrin paratë e veta, duke marrë këshillat e duhura”, shtoi ai.