Bugaqku: Kosova drejt pasigurisë kushtetuese nëse Presidenti nuk zgjidhet deri më 4 tetor

Kosova mund të përballet me një situatë të paqartë kushtetuese dhe institucionale nëse Presidenti i ri nuk zgjidhet deri më 4 tetor. Kjo pasi afati gjashtëmujor për ushtrimin e detyrës së Presidentit nga Kryetari i Kuvendit do të ketë përfunduar. Këtë paralajmërim e ka bërë Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë pranë Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), në një intervistë për Ekonomia Online.

Sipas Bugaqkut, në një rrethanë të tillë do të nevojitej një interpretim nga Gjykata Kushtetuese. Megjithatë, mbetet dilemë se kush do të kishte të drejtë ta adresonte këtë çështje për interpretim.

Bugaqku sqaroi se Kushtetuta e Kosovës, përmes nenit 90, përcakton qartë rastet e mungesës së përkohshme dhe mënyrën e ushtrimit të funksionit të Presidentit kur posti mbetet vakant. Ai theksoi se neni 90 trajton mungesën e përkohshme të Presidentit, duke përcaktuar situatat kur ky post mund të jetë vakant: në rast paaftësie mjekësore, autorizimit të Kryetarit të Kuvendit për arsye shëndetësore, dorëheqjes, skadimit të mandatit, apo shkarkimit nga Kuvendi.

Në rastin e vakancës së postit presidencial, Kushtetuta ia njeh Kryetarit të Kuvendit të drejtën të ushtrojë detyrën e Presidentit, por me një afat të përcaktuar. Sipas nenit 90, ky funksion mund të mbahet nga Kryetari i Kuvendit për një periudhë jo më të gjatë se gjashtë muaj. Hulumtuesi i KDI-së shpjegoi se ky afat gjashtëmujor llogaritet nga momenti kur posti i Presidentit legjitim mbetet vakant, pra pa funksionarin e tij legjitim.

Duke iu referuar situatës aktuale, Bugaqku theksoi se meqenëse ish-Presidentes Vjosa Osmani i ka skaduar mandati më 5 prill, Kryetari i Kuvendit mund të vazhdojë të ushtrojë funksionin e ushtruesit të detyrës së Presidentit deri më 4 tetor. Ky është interpretimi aktual i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, veçanërisht i nenit 90, në mungesë të një vendimi apo interpretimi tjetër nga Gjykata Kushtetuese.

Megjithatë, nëse deri në përfundim të këtij afati nuk zgjidhet Presidenti i ri, Bugaqku paralajmëron se situata do të bëhet e paqartë nga aspekti kushtetues dhe institucional. Ai vuri në dukje se përveç afatit gjashtëmujor, problematike mund të jetë edhe përputhja e tij me afatin 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit, si dhe ngritja e pikëpyetjeve se cili institucion do të mund ta adresonte çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

Bugaqku shpjegoi se nëse Kuvendi nuk zgjedh Presidentin brenda 60 ditëve nga konstituimi, ai shpërndahet dhe legjislatura pushon së ekzistuari. Në një situatë të tillë, Kryetari i Kuvendit nuk ka të drejtë të referojë çështje në Gjykatën Kushtetuese, duke e lënë vendin në një dilemë të thellë dhe paqartësi institucionale.

Periudha gjashtëmujore e ushtrimit të detyrës së Presidentit nga Kryetari i Kuvendit ka filluar më 5 prill, pas skadimit të mandatit të ish-Presidentes Vjosa Osmani.