Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka dorëzuar një kallëzim penal ndaj ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiut. Kallëzimi bëhet me akuzën për keqpërdorim të pozitës zyrtare në lidhje me rastin e propozimit të Auditorit të Përgjithshëm.
Ramadani, pas dorëzimit të kallëzimit penal, deklaroi se Haxhiu ka shkelur ligjin me vendimin e saj për propozimin e Vlora Spancës për një mandat tjetër si Auditore e Përgjithshme.
Sipas Ramadanit, propozimi i Spancës është bërë pa një konkurs të hapur dhe pa intervistim nga një komision i pavarur, procedura këto që, siç thekson ai, përcaktohen qartë me ligj. Ai theksoi se me këtë vendim janë shkelur dispozitat e nenit 4 të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit, veçanërisht paragrafët 4.4, 4.5.2 dhe 4.9.
Ramadani deklaroi më tej se Haxhiu, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së Presidentes, ka shfrytëzuar pozitën zyrtare për t’i mundësuar një personi përfitim të kundërligjshëm.
“Ligji është mbi të gjithë! Askush nuk duhet të keqpërdorë pozitën zyrtare!”, citohet në reagimin e publikuar nga Aleanca.
