Është identifikuar dhe ndaluar i dyshuari për sulmin ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi, i cili ndodhi gjatë protestës së djeshme. Si i dyshuar është identifikuar Fadil Zogaj.

Zogaj dyshohet për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, pasi, me ndihmën e disa personave të tjerë, e ka kapur deputetin Rexhepi dhe e ka detyruar të kthehej prapa, përtej rrethojave të vendosura para Kuvendit.

Sipas informacioneve të mediumit “Sinjali”, Policia e Kosovës ka identifikuar dhe lokalizuar Zogajn rreth orës 19:30 në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë. Më pas, ai është shoqëruar për intervistim në zyrat e njësisë kompetente hetimore.

Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, me vendim të Prokurorit të Shtetit, Zogaj është ndaluar për 48 orë.

Rasti po hetohet si vepër penale “Sulm ndaj personit zyrtar”. Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar për përfshirje në këtë incident.