Presidentja në detyrë e Kosovës, Albulena Haxhiu, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese më 5 tetor.

Në kërkesën e saj, ajo ka kërkuar interpretim lidhur me atë se kush mund t’i ushtrojë kompetencat presidenciale pas përfundimit të mandatit të saj gjashtëmujor, në rast se Kuvendi nuk arrin të zgjedhë presidentin e ri.

Këtë e konfirmoi Zyra e Presidentes në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, më 6 tetor – ditën kur skadon afati ligjor për zgjedhjen e presidentit të ri.

Kërkesa, e dorëzuar më 5 tetor, thirret në nenin 113, paragrafi 3, nënparagrafi 1 i Kushtetutës, siç bëri të ditur Zyra e Presidentes.

“Kemi kërkuar të përcaktohet se si dhe nga kush ushtrohen kompetencat e domosdoshme presidenciale pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore, nëse presidenti i ri nuk është zgjedhur ende,” u citua të ketë thënë Zyra e Presidentes për REL-in.