Buxheti i Shqipërisë dyfish më i madh se ai i Kosovës, thellohet edhe diferenca në PBB
Buxheti i Shqipërisë pritet të arrijë rreth 10.15 miliardë euro në vitin 2027. Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ende nuk ka paraqitur projektbuxhetin për të njëjtin vit, megjithëse afati ligjor është deri më 30 tetor, sipas KosovaPress.
Të dhënat për periudhën 2020-2026 tregojnë një rritje të buxheteve dhe të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) nominal në të dyja vendet. Gjithsesi, hendeku financiar mes tyre po thellohet.
Buxheti i Shqipërisë është rritur nga 4.44 miliardë euro në vitin 2020 në rreth 9.22 miliardë euro në vitin 2026, duke shënuar një rritje prej afro 108%. Për Kosovën, buxheti është rritur nga 2.36 miliardë euro në 2020 në rreth 4 miliardë euro në 2026, ose rreth 69%.
Si rezultat, hendeku buxhetor mes dy vendeve, që ishte 2.08 miliardë euro në vitin 2020, pritet të thellohet në rreth 5.22 miliardë euro në 2026.
Diferenca rritet edhe në madhësinë e ekonomive. PBB-ja nominale e Shqipërisë, nga 13.38 miliardë euro në vitin 2020, parashikohet të arrijë rreth 29.01 miliardë euro në 2026. Ndërsa për Kosovën, këto shifra janë 6.77 miliardë euro dhe rreth 11.79 miliardë euro, përkatësisht.
Bazuar në këto të dhëna, në vitin 2026 ekonomia shqiptare do të jetë rreth 2.46 herë më e madhe se ajo e Kosovës, krahasuar me rreth 1.98 herë në vitin 2020. Ky krahasim i referohet PBB-së së përgjithshme nominale dhe nuk reflekton të ardhurat për banor apo rritjen reale ekonomike.
Për vitin 2027, buxheti i Shqipërisë në nivel drafti është parashikuar të arrijë rreth 10.15 miliardë euro, ndërsa PBB-ja në rreth 30.50 miliardë euro. PBB-ja e Kosovës vlerësohet në rreth 12.55 miliardë euro, por shifra e buxhetit mbetet e padorëzuar.
