Eduardo Camavinga nuk po arrin të bindë në fillimin e sezonit të ri te Real Madridi, duke ngritur pikëpyetje për të ardhmen e tij në skuadrën e drejtuar nga Jose Mourinho.
Sipas gazetës AS, mesfushori francez 23-vjeçar, i cili mbeti jashtë Kupës së Botës për shkak të një sezoni zhgënjyes, punoi gjatë gjithë verës për t’u paraqitur në formën më të mirë të mundshme në fazën përgatitore. Megjithatë, 90 minutat ndaj Fiorentinës, si dhe paraqitjet në ndeshjet kundër Alcorcónit dhe Leganésit, nuk kanë lënë ende një ndikim të madh.
Pasi ishte titullar në dy ndeshjet e para miqësore në stadiumin “Alfredo Di Stéfano”, Camavinga u rikthye në formacion edhe përballë Fiorentinës. Mungesa e disa futbollistëve të ekipit të parë gjatë kësaj periudhe i dha një mundësi të artë për t’i treguar vlerat e tij Mourinhos, por deri tani nuk ka arritur ta shfrytëzojë.
Francezi dha asistimin për golin e parë të Real Madridit ndaj Fiorentinës, por pavarësisht kësaj, paraqitja e tij u karakterizua nga pasiguria, nervozizmi dhe mungesa e vetëbesimit.
Madje, një tentativë e dështuar për ta kontrolluar topin u bë virale në rrjetet sociale. Gjithsesi, faza përgatitore sapo ka nisur dhe Camavinga do të ketë ende mundësi të tjera për të bindur stafin teknik.
Lajmi më i keq për të nuk lidhet drejtpërdrejt me paraqitjet e tij, por me rikthimin e bashkëlojtarëve. Nga kjo javë, futbollistët që luajtën deri në fazat e fundit të Kupës së Botës do t’i bashkohen gradualisht Real Madridit, ndërsa mes tyre ka edhe mesfushorë që pritet t’i shtojnë ndjeshëm konkurrencën.
I pari që është rikthyer është Bernardo Silva. Përforcimi i ri kreu të hënën vizitat mjekësore dhe më pas zhvilloi stërvitjen e parë nën drejtimin e bashkëkombësit të tij, Jose Mourinho.
Edhe pse Bernardo Silva aktivizohet kryesisht në krahun e djathtë, ai mund të luajë edhe në qendër të mesfushës, pikërisht në rolin që aktualisht mbulon Camavinga.
Pas Bernardos pritet të rikthehet edhe Aurélien Tchouaméni, i cili konsiderohet si një nga titullarët e padiskutueshëm të skuadrës.
Me rikthimin e të gjithë mesfushorëve dhe me mundësinë e transferimit të Rodrit nga Manchester City, konkurrenca në repartin e mesfushës do të bëhet edhe më e fortë.
Nëse Rodri transferohet në “Santiago Bernabéu”, e ardhmja e Camavingas mund të ndryshojë rrënjësisht. Ardhja e mesfushorit spanjoll do të ishte një goditje e rëndë për francezin dhe, sipas raportimeve, mund ta shtyjë atë të mendojë edhe për largimin nga Real Madridi./GazetaExpress/
