Avokati Artan Çerkini ka shprehur kritika të ashpra ndaj aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës (Gjykata Speciale) kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Sipas tij, provat e paraqitura nga mbrojtja duket se nuk janë shqyrtuar në mënyrë të mjaftueshme.
Gjatë një interviste në emisionin “FIVE”, Çerkini theksoi se një nga çështjet kryesore që vërehet në arsyetimin e aktgjykimit është mungesa e referimit të duhur ndaj dëshmitarëve të propozuar nga mbrojtja e Hashim Thaçit.
“Çështja e parë që vërehet është fakti se trupi gjykues, si duket, provat e mbrojtjes nuk i ka shqyrtuar fare. Ne nuk e pamë në arsyetimin e trupit gjykues që gjykata iu referua dëshmitarëve të propozuar nga zoti Thaçi dhe pse nuk ia kishte falur besimin dëshmisë së tyre,” ka deklaruar Çerkini.
Ai theksoi se gjykata duhet të vlerësojë me kujdes dëshmitë e dëshmitarëve, sidomos kur bëhet fjalë për personalitete me peshë diplomatike, politike dhe ushtarake, të cilët kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në luftën e Kosovës.
“Pra, patjetër në arsyetimin e sotëm gjykata duhet të tregojë pse nuk ia ka falur besimin deklaratave të personaliteteve si James Rubin apo Hill. Të gjithë ishin individë që dëshmuan për fakte relevante për aktakuzën,” nënvizoi ai.
Nga arsyetimi i aktgjykimit, avokatit Çerkini i është krijuar përshtypja se gjykata ka dëgjuar vetëm njërën palë. “U krijua përshtypja që gjykata e ka dëgjuar vetëm njërën palë, ndërsa sa i përket palës tjetër vetëm e ka zhvilluar procedurën,” u shpreh Çerkini.
Kujtojmë se Gjykata Speciale shpalli fajtorë sot Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin për katër akuza për krime lufte, duke i liruar nga akuzat për krime kundër njerëzimit. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet burgim.
Ky aktgjykim është i shkallës së parë dhe i nënshtrohet apelit.
