Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka dënuar ashpër refuzimin e Kryesisë së Kuvendit për të përzgjedhur Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit dhe shpalljen e një konkursi të ri për këtë pozitë. Sipas IKD-së, ky veprim është kryer “pa asnjë bazë ligjore” dhe përbën një shkelje flagrante të ligjit, zvarritje institucionale dhe vendimmarrje arbitrare nga vetë institucioni që duhet të jetë garantues i sundimit të ligjit.
Në një komunikatë për media, IKD thekson se Kryesia ka vepruar në mënyrë arbitrare duke shpallur konkursin e ri, pasi nuk ka votuar asnjërin nga kandidatët e propozuar. Ky veprim, sipas IKD-së, është në kundërshtim të hapur me legjislacionin në fuqi.
IKD sqaron se moszgjedhja e kandidatit në këtë rast nuk është thjesht një lëshim procedural, por një refuzim për të zbatuar ligjin sipas rezultatit të një procesi të rregullt administrativ. Kështu, kjo mënyrë e veprimit paraqet ndërhyrje arbitrare në një procedurë që tashmë kishte përfunduar.
Edhe më shqetësues, sipas IKD-së, është fakti se propozimi për anulimin e konkursit nuk arriti të merrte mbështetjen e nevojshme në Kryesi. Me vetëm tre vota pro dhe tre abstenime, Kryesia nuk arriti të merrte asnjë vendim përfundimtar, duke e lënë Kuvendin në një situatë të papranueshme të bllokimit të një institucioni kaq të rëndësishëm.
Përballë kësaj situate, IKD i ka bërë thirrje Kuvendit që të rikthejë ligjshmërinë në këtë proces, duke përzgjedhur menjëherë njërin nga kandidatët e propozuar. Gjithashtu, instituti kërkon ndërprerjen e praktikave arbitrare që cenojnë integritetin e administratës publike, funksionimin normal të Kuvendit dhe besimin e qytetarëve te institucionet e vendit. Përgjegjësia fillimisht është mbi Kryesinë, me theks të veçantë mbi drejtuesit e saj.
