Dy persona janë plagosur me armë zjarri në Veternik, në orët e para të mëngjesit të sotëm, dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Naser Syla, drejtori i Qendrës Emergjente të QKUK-së, bëri të ditur se rreth orës 03:25, viktimat janë transportuar në këtë qendër nga policia dhe njësitet e ndihmës së shpejtë.
Sipas Sylës, bëhet fjalë për dy persona të lindur në vitet 1995 dhe 1999, të cilët dyshohet se janë plagosur brenda një restoranti në Veternik.
Ai theksoi se gjendja shëndetësore e tyre është e qëndrueshme dhe se u janë nënshtruar ekzaminimeve mjekësore të nevojshme.
Pas trajtimit fillestar në Qendrën Emergjente dhe konsultave me mjekët specialistë, pritet që ata të pranohen për trajtim të mëtejshëm në pavijonet përkatëse.
