**Veshjet në Dasmë: Ekspertët këshillojnë si të shmangim gabimet e zakonshme**
Zgjedhja e veshjes së duhur për një dasmë shpesh mund të jetë sfiduese dhe të krijojë paqartësi. Me një sërë kodesh veshjeje, nga “black tie” te “smart casual”, gabimet janë të shpeshta.
Tracy Mudd, eksperte pranë kompanisë “The Wedding Travel Company”, thekson se një nga gabimet kryesore është interpretimi i drejtpërdrejtë i kodit të veshjes, pa marrë parasysh vendndodhjen e dasmës. Ky problem vërehet veçanërisht te të ftuarit më të moshuar.
Ajo shpjegon se të ftuarit mbi 50 vjeç priren të zgjedhin veshje elegante dhe të rehatshme, të përshtatshme për ambientin. Materialet që lejojnë lëkurën të marrë frymë, prerjet e mira dhe këpucët praktike janë thelbësore, veçanërisht për dasmat jashtë vendit. Mudd shton se kodet e veshjes duhen parë si udhëzues, ndërsa komoditeti mbetet thelbësor për të shijuar plotësisht ditën.
Në stinët e ngrohta, materialet e rënda dhe prerjet e ngurta shpesh bëhen të papërshtatshme, sidomos në klimë të lagësht. Po ashtu, këpucët mund të shkaktojnë probleme, veçanërisht në ambiente të jashtme apo rrugë me kalldrëm.
Një rregull i artë mbetet i pazëvendësueshëm: ngjyrat e çelura janë të lejueshme, por e bardha duhet shmangur kategorikisht, nëse çifti nuk e specifikon ndryshe. Mudd thekson se “duhet shmangur çdo veshje që mund të ngatërrohet me fustanin e nuses apo me atë të çiftit”.
Më poshtë detajohen kodet më të zakonshme të veshjes dhe mënyra si duhen interpretuar ato:
**Black Tie (Formalitet shumë i lartë)**
Ky kod veshjeje, sinonim i formalitetit maksimal, kërkon fustane të gjata dhe kostume elegante. Ngjyrat e theksuara, detajet luksoze dhe një pamje “tapeti të kuq” janë plotësisht të mirëpritura. Megjithatë, duhet shmangur çdo veshje tepër e hapur ose shumë e rëndë. Mudd shpjegon: “Gabimi shpesh ndodh kur zgjidlen veshje të rënda, veçanërisht për dasmat jashtë vendit. Materialet e lehta dhe që lejojnë ajrosjen funksionojnë më mirë pa kompromentuar formalitetin.”
**Formal**
Për kodin ‘Formal’, përgjithësisht zgjidhen fustane të gjata ose midi, si dhe kostume klasike. Sfida qëndron në ruajtjen e elegancës pa sakrifikuar rehatinë, veçanërisht gjatë ditëve të gjata apo në mot të nxehtë. Kjo kategori lejon eksperimente me prerje: dekolteja e theksuar dhe shpina e hapur mund të jenë të përshtatshme në restorante apo hotele luksoze, ndërsa ambiente fetare kërkojnë një stil më modest.
**Cocktail**
Ky stil është pak më i lirshëm se kodi ‘Formal’, por ende kërkon një veshje të rregullt dhe festive. Gabimi më i madh është të shfaqesh shumë thjesht. Fustanet më të shkurtra, materialet e lehta dhe detajet dekorative janë të mirëpritura. Nëse pamja juaj sugjeron se jeni gati për një mbrëmje elegante, atëherë jeni në drejtimin e duhur.
**Semi-formal**
Kodi ‘Semi-formal’ përdoret shpesh për ceremoni civile ose pritje pas dasmës. Ky stil mund të jetë burim konfuzioni për shkak të fleksibilitetit të tij. Duhet shmangur veshjet e përditshme, si lino shumë e thjeshtë apo kombinimet informale. Zgjedhjet më të përshtatshme janë fustanet e thjeshta por elegante, ose komplete moderne, të konceptuara gjithsesi për eventin.
**Smart Casual**
Ky është një nga kodet e veshjes më të keqkuptuara. Shumë e interpretojnë gabimisht si ‘shumë të thjeshtë’. Xhinset dhe veshjet sportive janë krejtësisht të papërshtatshme. Zgjedhje më të mira janë fustanet verore elegante ose kombinimet e thjeshta, por me stil, të shoqëruara me këpucë të rregullta dhe jo atlete.
