**Vlora Çitaku i përgjigjet Kurtit: Nxirrni emrat dhe faktet për ata që morën para nga Serbia**

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti drejtuar mediave nga Kuvendi i Kosovës, duke i cilësuar ato si “të papranueshme dhe skandaloze”.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Çitaku theksoi se sulmet e Kurtit janë një përpjekje për të “hedhur mjegull” dhe për të shmangur përgjegjësinë. Ajo vuri në dukje se kryeministri, i cili ka ushtruar pushtet pothuajse absolut në Kosovë për gati gjashtë vjet, po lëshon akuza të rënda ndaj mediave, duke pretenduar se ato kanë marrë para nga Serbia.

Çitaku e sfidoi direkt Kurtin: “Kush ka marrë para nga Serbia, Albin? Nxirr emrat. Nxirr faktet.” Ajo kërkoi ndërprerjen e menjëhershme të sulmeve dhe etiketimet e pabazuara kundër mediave të lira.

Deputetja e PDK-së vuri në pikëpyetje edhe kredibilitetin moral të kryeministrit. “Një njeri që mban në pushtet Martin Berishajn, për të cilin janë publikuar fakte për afera milionëshe me GEN-in serb, dhe vazhdon ta mbajë ambasador, nuk ka as kredibilitet moral dhe as të drejtë të sulmojë të tjerët,” shkroi Çitaku.

Ajo shtoi se ndërkohë, personave që “përhapin narracione të UDB-së për masakrën e Dubravës, u financohen botime dhe u promovohen nëpër sheshe e ambasada,” duke nënkuptuar standarde të dyfishta nga ana e qeverisë.