**Çitaku i kundërpërgjigjet Kurtit: Ti s’e njeh rezultatin zgjedhor dhe s’ke problem me përmbysjen e rendit kushtetues**
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, i cili akuzoi partitë opozitare për sjellje joshtetërore, anti-institucionaliste dhe për mosnjohje të rezultatit zgjedhor të 28 dhjetorit.
Çitaku drejtoi akuzat drejtpërdrejt ndaj Kurtit, duke theksuar se ai vetë është ai që nuk e njeh rezultatin zgjedhor. “Nëse ka një njeri që nuk e njeh rezultatin zgjedhor në Kosovë, ai je ti,” ka theksuar Çitaku. Ajo ka shtuar se “falë atij rezultati, ti e udhëheq Qeverinë dhe Kuvendin”, por ka nënvizuar se “51% nuk janë 100%”.
Ajo përmendi se opozita ka dëshmuar përgjegjshmëri duke votuar pa asnjë kusht zgjatjet buxhetore dhe marrëveshjet ndërkombëtare, madje edhe me procedurë të përshpejtuar. Çitaku akuzoi Kurtin se nuk njeh as bashkëpunimin e as kompromisin. “Ti, Albin, nuk e njeh bashkëpunimin, as kompromisin. Ti kërkon nënshtrim. Dhe PDK nuk nënshtrohet,” ka cituar ajo.
Në fund të reagimit të saj, Çitaku e ka quajtur kryeministrin Kurti “shkelës serik të Kushtetutës,” duke shtuar se ai “nuk e ka problem ta përmbysë edhe rendin Kushtetues.” Megjithatë, Çitaku ka paralajmëruar se opozita “nuk do ta lejojë” këtë, duke theksuar se “Ky vend dhe kjo Republikë janë ndërtuar me mund e me gjak. Dhe nuk do të lejojmë që të shkatërrohen.”
