**Çitaku i përgjigjet BE-së për Gjykatën Speciale: Kosova kërkon drejtësi, jo shmangie**
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka deklaruar se Kosova synon drejtësinë dhe nuk kërkon t’i shmanget asaj. Kjo deklaratë vjen pas paralajmërimit të komisionares së Bashkimit Evropian, Marta Kos, se ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale janë të papranueshme për BE-në.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Çitaku theksoi se në kuadër të diplomacisë parlamentare, dy çështje kanë rëndësi të veçantë për Kosovën: procesi i apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë dhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës.
Ajo shtoi se Kosova do të bisedojë me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian për të sqaruar vullnetin politik të deputetëve. Çitaku shprehu bindjen se pajtueshmëria mund të arrihet përmes dialogut.
“Një ndër pikat që diskutuam sot është edhe agjenda e diplomacisë parlamentare, për PDK-në, por edhe për krejt Kuvendin e Republikës së Kosovës. Siç jemi shprehur edhe në deklaratën që kemi miratuar, dy gjëra janë të rëndësisë së veçantë: procesi i apelit në Hagë dhe Këshilli i Evropës,” tha Çitaku. Ajo shtoi se është normale që ndonjëherë me miq të ketë mosmarrëveshje, duke u shprehur e bindur se do të ketë kohë për të biseduar me përfaqësuesit e BE-së dhe t’ua sqarojnë vullnetin politik të deputetëve të zgjedhur.
“Kosova, me ligj dhe me vullnet, kërkon drejtësi. Ne nuk po kërkojmë t’i ikim drejtësisë, përkundrazi, po synojmë që procesin e devijuar dhe deformuar ta kthejmë në binarë të drejtë. Kosova është partnere; partnerët diskutojnë, debatojnë dhe unë jam e bindur që në fund do të ketë pajtueshmëri,” përfundoi Çitaku.
