**Çitaku: Vendimi i Hagës do të ketë pasoja për të ardhmen e Kosovës**
Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka theksuar rëndësinë e datës 16 shtator, kur pritet të shpallet vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Çitaku argumentoi se në Hagë nuk po gjykohet vetëm fati personal i katër ish-drejtuesve të UÇK-së, por, sipas saj, edhe lufta çlirimtare dhe historia kombëtare e Kosovës.
Ajo nënvizoi se verdikti do të ketë ndikim thelbësor edhe në të ardhmen e Kosovës, duke shprehur njëkohësisht shpresën se të katërt ish-krerët do të kthehen të lirë në atdhe.
“Është thelbësore që secili të kuptojë se më 16 shtator, në Hagë, nuk vendoset për fatin personal të katër burrave. Është shumë rëndësishme të kuptohet që në burg, në Hagë, nuk është Hashim Thaçi i PDK-së, por është Hashim Thaçi i UÇK-së, i Kosovës. Nuk është Rexhep Selimi i VV-së, por është i Kosovës; Kadri Veseli është i Kosovës, Jakup Krasniqi është i Kosovës. Nuk po gjykohet vetëm historia jonë, vetëm lufta çlirimtare, por ky është një verdikt që do të ketë pasoja edhe për të ardhmen. Shpresoj që të katërtit bashkë të kthehen të lirë,” – deklaroi Çitaku.
Po ashtu, Çitaku u bëri thirrje qytetarëve që më 12 shtator të marrin pjesë në protestën e planifikuar në Prishtinë, në shenjë mbështetjeje për ish-krerët e UÇK-së.
