Presidentja Osmani viziton familjen e Afrim Bunjakut pas vendimit të gjykatës: “Çizmja e Serbisë nuk do të shkelë më në këtë shtet”
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar familjen e Afrim Bunjakut pas vendimit të marrë sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë lidhur me sulmin terrorist në Banjskë. Gjykata dënoi me burgim të përjetshëm dy të akuzuarit, ndërsa të tretit i dha 30 vjet burgim.
Gjatë vizitës në familjen Bunjaku, Osmani theksoi se Kosova ka pasur gjithmonë djem si Afrim Bunjaku, të cilët i kanë dalë zot vendit. Ajo shtoi se territori dhe sovraniteti i shtetit duhet të ruhen me çdo kusht.
“Sakrifica për këtë vend nuk ka mbaruar ende. Edhe pas shumë e shumë vitesh që ne u çliruam, prapëseprapë këtë liri duhet ta ruajmë, territorin tonë duhet ta ruajmë, shtetin tonë duhet ta ruajmë. E bekuar qoftë Kosova që ka pasur dhe ka djem si Afrim Bunjaku, që i kanë dalë zot gjithmonë, dhe është gjaku e sakrifica e tij, si dhe e juaja si familje”, u shpreh Osmani.
Presidentja Osmani vazhdoi duke iu drejtuar të pranishmëve: “Fatkeqësisht kemi një fqinj që me shekuj na ka shkaktuar probleme. Ata do të mbeten atje, por këndej nuk do të mund të hyjnë kurrë. Siç thuhet, çizmja e Serbisë nuk do të shkelë më në këtë shtet. Qoftë sakrifica e Afrim Bunjakut e fundit, me shpresën që tash e tutje, çdo ditë do të ecim drejt forcimit si shtet.”
Osmani theksoi se drejtësia nuk është ende e plotë me dënimin e vetëm tre pjesëmarrësve në sulmin terrorist.
“Duhet që Radoiçiq të dorëzohet në Kosovë dhe të marrë dënimin e merituar, si dhe shumë kriminelë të tjerë që kanë vepruar bashkë me të nën urdhrat e Vuçiqit, pasi ai është dhe mbetet kryesori. Ai e ka dhënë urdhrin, dhe këtë e dimë të gjithë”, përfundoi Osmani.
