Detaje nga raporti i Policisë për përleshjen ku dyshohet Buta
Reperi i njohur kosovar, Buta, dyshohet të jetë përfshirë në një përleshje fizike me të shtëna me armë zjarri, e cila ka ndodhur në Ferizaj.
Ngjarja, sipas njoftimit të Policisë së Kosovës (PK), ka ndodhur më 11 prill 2026, rreth orës 20:15, në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Ferizaj. PK-ja ka klasifikuar rastin si “Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm, Armëmbajtje pa Leje dhe Lëndim i Rëndë Trupor”.
Në njoftim theksohet se, pas një mosmarrëveshjeje verbale, dy meshkuj kosovarë, të dyshuar, janë përleshur fizikisht. Gjatë përleshjes, është shkrepur edhe një armë zjarri, fatmirësisht pa shkaktuar pasoja në njerëz.
Në vendngjarje, policia ka gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 13 fishekë, si dhe dy gëzhoja. Dy të dyshuarit janë arrestuar. Njëri prej tyre ka marrë trajtim mjekësor. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, ata janë dërguar në mbajtje. Rasti mbetet nën hetime.
