**Çlirim Haziri: Protestuesit nuk largohen nga Kuvendi pa votuar Ligjin për Dhomat e Specializuara**
Çlirim Haziri, organizator i protestës “Jo në emrin tim”, ka deklaruar sot nga ambientet e Kuvendit të Kosovës se protestuesit nuk do të largohen derisa deputetët të votojnë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Duke folur për motivet e qëndresës 20-ditore, Haziri tha: “Ka 20 ditë e 20 net që po qëndrojmë me dinjitet për UÇK-në, për gjakun e derdhur për liri, për heronjtë tanë dhe për ata që sot po mbahen në Hagë.” Ai theksoi qartësisht kërkesën drejtuar ligjvënësve: “Sot jemi para dyerve të Kuvendit me një kërkesë të qartë: votojeni ligjin.”
Haziri falënderoi qytetarët që kishin qëndruar para ndërtesës së Kuvendit gjatë gjithë natës, duke ritheksuar vendosmërinë për vazhdimin e protestës deri në votimin e ligjit.
Ai përsëriti edhe njëherë ultimatumin drejtuar deputetëve: “Do të qëndrojmë këtu deri në votimin e ligjit. Asnjë deputet nuk do të dalë nga Kuvendi pa e votuar ligjin.”
