Taulant Dajaku, ish-futbollisti i njohur kosovar dhe analist i emisionit sportiv “Favorit” në T7, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale lidhur me gjykimin në futbollin kosovar. Reagimi i tij vjen në kontekst të ndeshjes Prishtina – Dukagjini, e cila po zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Në një postim në “Facebook”, Dajaku shprehu kritika të forta ndaj sistemit të delegimit të gjyqtarëve. Ai shkruan: “…një ligë futbolli që avancon dhe delegon gjyqtarë si ky dhe i përjashton e lufton gjyqtarë si Dardan Qaka, meriton të digjet në ferr. Gjyqtaromafia = Fajdet me pip”.
Ndeshjen në fjalë po e drejton gjyqtari Eridon Podvorica.
Nga ana tjetër, Dardan Çaka nuk ka gjykuar prej një kohe të gjatë, ndërsa shpesh publikon postime në rrjetet sociale lidhur me periudhën e tij si gjyqtar. Një nga postimet e tij të fundit përfshin një fotografi si gjyqtar, shoqëruar me mbishkrimin: “Koha e zbulon të vërtetën”.
Rezultati aktual në ndeshjen Prishtina – Dukagjini është 1-1. Altin Mërlaku shënoi golin e parë në minutën e 10-të, ndërsa Mario Ilievski barazoi shifrat vetëm një minutë më vonë.
