Komisioni për Legjislacion ka mbajtur dëgjim publik për Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, raporton Ekonomia Online.

Në këtë komision kanë munguar deputetët e opozitës, derisa zëvendëskryetari i këtij komisioni, Vigan Qorrolli tha se opozita nuk e duan një ligj të tillë në Republikën e Kosovës.

Vullnet Bugaqku nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) u shpreh se e kanë përkrahur projektligjin për Byronë Shtetërorë, por se ky i fundit akoma nuk ka adresuar si duhet vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese.

“Siç u përmend edhe më herët, po e përsëris për veten, ne duam me ritheksuar që si organizatë e kemi mbështetur në parim Vettingun si një mekanizëm shprese që do të kontribuonte në luftën kundër korrupsionit në Kosovë, dhe ne shpresojmë që ky mekanizëm do të ketë një rrugëtim të qetë pas standardeve të përcaktuara nga opinionet e Komisionit të Venecias edhe nga gjetjet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në aktgjykimin e të cilit e ka vlerësuar përmbajtësisht këtë projektligj në vitin 2024.

U përmendën shumë çështje këtu edhe në raport me vullnetin që keni ofruar në raport me asistencën që ne ia ofrojmë Komisionit për Legjislacion. Ju falënderoj edhe për deputetët që të paktën e kanë marrë mundin dhe e kanë trajtuar këtë asistencë dhe këtë amendament parlamentar që kanë përgatitur ekspertët e IKD-së. Megjithatë, ju e dini që qëndrimet tona janë publike, që janë shpërfaqur në së paku dy konferenca të fundit. Ne besojmë që ky projektligj ende nuk i ka adresuar si duhet edhe aq sa duhet vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe atë në disa segmente.

Raporti që është dorëzuar, amendamenti parlamentar që kemi dorëzuar në komision edhe që ka përfunduar nga ana e ekspertëve, përmendet me të vërtetë që përmenden që janë disa çështje që janë adresuar në kontekstin formal të kushtetueshmërisë. Pra, adresimi i gjetjeve të Gjykatës Kushtetuese në kontekstin formal të respektimit të Kushtetutës ose edhe të kushtetueshmërisë së dispozitave të Ligjit të ri të Byrosë. Megjithatë, raporti thekson shumë gjetje që ngrenë shqetësime në aspektin material. Pra, ka dispozita që në aspektin material të kushtetueshmërisë ende rrezikojnë dhe japin hapësirë dhe mundësi që të kontestohen në Gjykatën Kushtetuese dhe që ta zvarrisin edhe më tutje këtë proces dhe deri në hyrje në fuqi të këtij mekanizmi.

Pasi të flasim në elemente për sa i përket gjetjeve konkrete se ku ne mendojmë që ligji është ende jo në harmoni me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dua me theksuar njëherë rëndësinë e procesit të konsultimit publik, i cili është një prej fazave kyçe që e legjitimon një proces ligjbërës ose një proces të hartimit të legjislacionit. Unë të paktën kam marrë pjesë në të gjitha grupet punuese të hartimit të këtij projektligji dhe i di pothuajse në detaje çdo diskutim që ka rënduar që nga koha e parë.

Vërtetë është e rrugës që ka pasur një dëgjim publik, edhe një konsultim publik para se ligji të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese. Por, unë si pjesë e grupit punues dhe në momentin kur është dorëzuar projektligji në komision, në vitin 2024, unë të paktën nuk kam ftesë dhe nuk di që është mbajtur një dëgjim i hapur, një konsultim i hapur publik me të gjithë akterët që kanë qenë pjesë e grupeve punuese.

Tashmë ka kaluar kohë dhe është fakt që ligji përsëri është kontestuar në Gjykatën Kushtetuese dhe është rrëzuar në aspektin procedural, dhe nga ai moment përsëri në qeveri nuk ka pasur konsultim publik. Pra, vetë qeveria unë mendoj që ka shkelur rregulloren e punës së saj, duke mos e shpërfillur një kërkesë ligjore që e përcakton dhe rregullorja e punës së qeverisë. Ligji është rrëzuar në tërësi, që i bie ashtu siç thonë që rëndom, këtë procedurë do të duhej të fillonte nga zero siç e adreson edhe Gjykata.

Sidoqoftë edhe kjo e jona e përmendur, që edhe ky proces që sot po mbahet, ne besojmë që prapë është në kundërshtim me rregulloren procedurale, sepse nuk janë përcaktuar afatet kohore të mjaftueshme që i përcakton vetë rregullorja e punës së qeverisë. Pra, duhet pritur së paku 15 ditë nga momenti i njoftimit që do të ketë dëgjim publik që akterët të kenë kohë të mjaftueshme që të ofrojnë komente cilësore përmbajtësore në draftin e këtij ligji”, tha Bugaqku nga IKD.

Adnan Rrustemi, anëtar i komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje tha se projektligji synon të gjurmojë pasurinë dhe ta verifikojë atë.

“Ne kemi pasur politikë ndëshkuese të dobët në raport me korrupsionin. Domethënë, ne kemi pasur vlerësime që ka korrupsion të madh, të pashpjeguar dhe të pamatshëm të parave publike, por në anën tjetër nuk kemi pasur efikasitet të institucioneve të drejtësisë për t’i trajtuar, për t’i dënuar bazuat dhe përmendësit dhe për t’ia konfiskuar atëherë pasurinë e paligjshme në procedurë. Ne kemi pasur bazë ligjore për të konfiskuar pasurinë e fituar kriminalisht, por ajo është dëshmuar plotësisht e pasuksesshme.

Në anën tjetër, ky projektligj nëpërmjet procedurës civile synon të gjurmojë pasurinë, atëherë nuk e bën këtë në procedurën penale dhe nuk bazohet për keqpërdorim të detyrës apo në një procedurë tjetër, në një bazë tjetër ligjore, por e ka një fokus të qartë që atëherë verifikon pasurinë e pajustifikueshme të zyrtarëve të lartë dhe pasuria e cila nuk mund të justifikohet do të konfiskohet dhe t’i kthehet shtetit.

Projektligji, sipas mendimit tim, ka pasur dhe është nënshtruar një diskutimi të gjerë publik, politik, por do të thotë edhe profesional. Përveç diskutimeve të zhvilluara në grupe pune, në komisione, në disa tryeza të vjetra, në media po ashtu edhe në forume të ndryshme e studimeve të ndryshme që janë bërë nga organizata të ndryshme për këtë projektligj. Ky projektligj ka marrë edhe vlerësime të Komisionit të Venecias, kemi dy opinione përmbajtësore dhe të tretin si konfirmim të adresimit të rekomandimeve.

Sikurse që është trajtuar edhe nga Gjykata Kushtetuese në dy procedura, në rastin e parë natyrisht që është më i rëndësishëm në kuptimin meritor dhe përmbajtësor të këtij ligji. Gjykata Kushtetuese atëkohë kishte identifikuar katër elemente ose katër, le të themi, aspekte të këtij projektligji që nuk janë në përputhje me Kushtetutën. Ndërkohë që kishte validuar le të themi shumë prej aspekteve të tjera të cilat ishin kontestuar në Gjykatën Kushtetuese, nga koncepti i konfiskimit civil deri te garancitë procedurale, e te le të themi elementet e tjera.

Por, e kishte shfuqizuar në tërësi projektligjin për shkak se gjetjet që kishte identifikuar Gjykata Kushtetuese ishin të tilla që nuk mund të tolerohej dhe të futej kjo byro, sepse aspektet kryesore për të pasur një mekanizëm të tillë ishin elementet e retroaktivitetit në kuptimin e kufizimit kohor, sa i përket ruajtjes së të dhënave nga institucionet e tjera relevante, e te kjo do të thotë përbërja e komisionit mbikëqyrës që ishte esencial për këtë byro. Nuk mund të tolerohet mandati i byrosë nëse komisioni mbikëqyrës nuk ishte gjetur në përputhje me Kushtetutën.

Tash me të drejtë, përbërja e komisionit në versionin e parë ka dhënë më shumë pavarësi sepse ishte një përbërje ligjshmërie nga gjykatat, gjykata popullore, avokati i popullit dhe gjithashtu do të thotë kishte rekomandime nga Venecia për t’i ikur sa më shumë që është e mundur politizimit potencial dhe kuvendi të mos ndërhynte në përbërje. Por, Gjykata ka argumentuar që një gjyqtar i cili ka detyrë ose që ka detyrë dhe kompetenca me funksionin e tij si gjyqtar nuk mund të jetë edhe anëtar i komisionit të tillë. Sikurse i njëjti argument edhe në rastin e bazës ligjore të këtij procesi merret apo jo vetëm për avokatin e popullit”, tha Rrustemi.

Ndërsa, Eugen Cakolli nga Instituti  Demokratik i Kosovës (KDI) tha se ajo që i shqetëson në këtë projektligj është se po përsëriten gabime të ngjashme siç ka ndodhur më herët.

“Siç u tha edhe nga kolegët, Ligji për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është një prej nismave legjislative që ka marrë vëmendjen më të madhe, por që ka pasur edhe rrugëtimin më të gjatë dhe më të komplikuar. Ky projektligj është dërguar dy herë për opinion në Komisionin e Venecias dhe në fund kemi pasur edhe një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, i cili e ka rrëzuar versionin e parë të tij në tërësi për shkaqe procedurale.

Ajo çfarë na shqetëson ne si KDI në këtë fazë është fakti që, pavarësisht vullnetit të shprehur për ta adresuar këtë çështje, ne po shohim që prapë po përsëriten disa gabime të ngjashme sa i përket procedurave të ndjekura. Projektligji i ri është proceduar me një shpejtësi që nuk lejon një diskutim të thartë dhe përmbajtësor me të gjithë akterët e përfshirë. Rregullorja e punës së qeverisë përcakton qartë afatet për konsultime publike dhe ne besojmë që këto afate nuk janë respektuar në plotni as këtë herë, gjë që mund ta rrezikojë ligjin sërish nëse dërgohet në Kushtetuese.

Për sa i përket përmbajtjes, ne vazhdojmë të kemi rezervat tona sa i përket modelit të zgjedhur. Krijimi i një agjencie të tillë nën ombrellën e pushtetit ekzekutiv, apo me një mbikëqyrje që mund të ndikohet politikisht nga Kuvendi, paraqet rrezik për keqpërdorim të këtij mekanizmi. Ne kemi propozuar vazhdimisht që ky proces të jetë tërësisht i pavarur dhe që verifikimi të bëhet mbi baza profesionale dhe jo politike.

Gjithashtu, duhet pasur parasysh që Gjykata Kushtetuese ka dhënë gjetje shumë serioze sa i përket sigurisë juridike dhe të drejtave të njeriut në versionin paraprak. Nëse këto vërejtje nuk adresohen në mënyrë substanciale në këtë draft të ri, atëherë i gjithë procesi mund të kthehet në pikën zero, duke humbur kohë të çmuar në luftën kundër korrupsionit. Prandaj, ne kërkojmë që komisioni dhe qeveria të kenë parasysh që kualiteti i ligjit është më i rëndësishëm sesa shpejtësia e miratimit të tij”, tha Cakolli.