**Debat i ashpër në “Pressing”: Rashit Qalaj akuzon pushtetin për dërgimin e Njësisë Speciale në Skënderaj me qëllim shkaktimin e incidenteve**
Të mërkurën, në emisionin “Pressing” të T7, ishin të ftuar përfaqësues të partive politike, ku u zhvillua një debat mbi dërgimin e Njësisë Speciale në Skënderaj.
Gjatë diskutimit, Rashit Qalaj nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) theksoi se dërgimi i njësive elitare të Policisë së Kosovës në Skënderaj, në ditën e incidentit, ishte një veprim i gabuar.
Ai shprehu indinjatë, duke akuzuar qeverinë se synonte të përshkallëzonte një rrahje me lëndime të lehta. “Më vjen keq për lëndimet e shkaktuara, jam kundër dhunës. Pse duhet të shkonin njësitë elitare në Skënderaj pa asnjë situatë të rënduar?” tha Qalaj, duke shtuar se pushteti i kishte dërguar këto njësi me qëllim shkaktimin e incidenteve.
Në replikë, Viktor Buzhala nga Lëvizja Vetëvendosje iu përgjigj Qalajt.
“Kjo është çështje e Policisë, nuk është as e imja, as e jotja”, u shpreh Buzhala.
“Po sikur të shkaktohej ndonjë incident që juve do t’ju konvenonte?” ia ktheu Qalaj.
Buzhala vazhdoi: “Për këtë arsye nuk duam politikanë që shkaktojnë incidente të tilla.”
Burimi: Gazeta Express.
