Barcelona nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për transferimin e Julian Alvarezit, pavarësisht rezistencës së fortë nga Atletico Madridi. Drejtori sportiv i klubit katalanas, Deco, raportohet se ka udhëtuar në Madrid për një takim diskret me përfaqësuesin e sulmuesit argjentinas, me synimin për të gjetur një rrugë drejt realizimit të transferimit.
Në një përpjekje të re për ta mbajtur gjallë operacionin, Deco, së bashku me Joao Amaral, zhvilloi një takim me Fernando Hidalgo, agjentin e Julian Alvarezit.
Sipas gazetës Sport, takimi u mbajt në një ambient privat në Madrid dhe kishte për qëllim përpunimin e strategjisë për një transferim që mbetet prioriteti absolut i Barcelonës në këtë afat kalimtar.
Drejtuesit katalanas janë plotësisht të vetëdijshëm për vështirësitë që i presin, por nuk kanë ndërmend të heqin dorë. Edhe pse negociatat kanë hyrë në një fazë të ndërlikuar, Barcelona beson se mbajtja e kontakteve të vazhdueshme me Hidalgo është thelbësore për të reaguar menjëherë nëse situata ndryshon.
Megjithatë, qëndrimi i Atletico Madridit mbetet i pandryshuar. Klubi nuk po shqyrton largimin e njërit prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës, ndërsa presidenti Miguel Angel Gil Marin raportohet se e ka marrë personalisht këtë çështje.
Sipas raportimeve, Gil Marin është i vendosur të bllokojë çdo transferim të Alvarezit te Barcelona ose Real Madridi, me qëllim mbrojtjen e imazhit dhe prestigjit të klubit përballë rivalëve të drejtpërdrejtë në Spanjë.
Marrëdhëniet institucionale mes Barcelonës dhe Atletico Madridit e bëjnë edhe më të vështirë këtë operacion. Burimet bëjnë të ditur se drejtuesit e Atleticos besojnë se dy gjigantët spanjollë po përpiqen ta poshtërojnë klubin madrilen, gjë që ka sjellë ndërprerjen e komunikimit të drejtpërdrejtë mes palëve.
Për shkak të kësaj situate, Barcelona është detyruar të veprojë përmes ndërmjetësve dhe përfaqësuesve të futbollistit, në mënyrë që të mbajë gjallë shpresat për realizimin e transferimit.
Optimizmi i Barcelonës bazohet edhe te bindja se vetë Julian Alvarez dëshiron të transferohet në “Spotify Camp Nou”. Brenda klubit katalanas besohet se një hap i rëndësishëm është bërë pasi kampioni i botës ka shprehur gatishmërinë për të veshur fanellën blaugrana.
Në të njëjtën kohë, raportimet shtojnë se sulmuesi argjentinas ndihet i zhgënjyer nga drejtuesit e Atletico Madridit për mënyrën se si është trajtuar e ardhmja e tij. Burime pranë lojtarit pretendojnë se ai beson se Miguel Angel Gil Marin nuk e ka mbajtur një premtim të mëparshëm, sipas të cilit do t’ia lehtësonte largimin nëse një ditë do të dëshironte të ndryshonte skuadër./GazetaExpress/
