Presidentja para një vendimi për Ligjin e Speciales, PDK deklarohet sot
Miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara nuk e ka përfunduar procesin. Ky ligj tani ndodhet në tryezën e Presidentes Justina Shiroka-Pula, e cila duhet të vendosë nëse do ta dekretojë apo do ta kthejë në Kuvend për rishqyrtim. Njohës të çështjeve juridike theksojnë se ligji ka mangësi, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) pritet të dalë sot me një qëndrim zyrtar.
Mbrëmjen e 6 tetorit, pas një nate me tensione dhe protesta jashtë Kuvendit, deputetët miratuan ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë. Me këtë rast, u shmang thellimi i një krize gati dyvjeçare, pasi zgjedhja e Presidentes Justina Shiroka-Pula në mesnatën mes 6 dhe 7 tetorit shpëtoi vendin nga zgjedhjet e reja, të cilat do të ishin të katërtat brenda dy vjetësh. Ligji i ri u dërgua në Presidencë më 15 tetor, i miratuar me 88 votat e deputetëve.
Ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale u iniciuan nga PDK-ja që nga 16 shtatori, pas dënimit në shkallë të parë të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit – për krime lufte, me dënime nga 13 deri në 25 vjet burgim. Kjo iniciativë u shoqërua me protesta të përditshme në sheshin kryesor të Prishtinës.
Burime të Gazeta Express bëjnë me dije se PDK-ja i ka kërkuar Presidentes Shiroka-Pula të mos e dekretojë ligjin, por ta kthejë atë në Kuvend. Presidentja, sipas burimeve, ka kërkuar nga PDK-ja një kërkesë zyrtare, duke paralajmëruar dekretimin e ligjit në mungesë të saj deri të enjten. Në orët në vijim, PDK-ja do të mbajë një konferencë për media, ku pritet të flasë edhe për këtë ligj.
Sipas Ehat Miftarajt nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ligji “ka probleme që kërkojnë adresim”. Ai theksoi në një postim në Facebook se do të ishte një “vendim i drejtë nga Presidentja nëse ligjin ia kthen Kuvendit”. Miftaraj shtoi se Qeveria duhet të konsultohet me Bashkimin Evropian për këtë ligj.
Bashkimi Evropian (BE) ka rikonfirmuar mbështetjen për punën e Dhomave të Specializuara, duke theksuar rëndësinë e respektimit të plotë të mandatit dhe pavarësisë së tyre. Kosovës i është kërkuar t’u përmbahet detyrimeve ndërkombëtare për garantimin e pavarësisë gjyqësore të Dhomave të Specializuara, si dhe angazhimit për të siguruar llogaridhënie dhe për të dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.
PDK-ja, në anën tjetër, ka argumentuar se ndryshimet e propozuara nuk shkelin asnjë detyrim ndërkombëtar në raport me BE-në, duke ftuar Brukselin të shqetësohet më shumë për drejtësinë e procesit në Dhomat e Specializuara në Hagë sesa për ligjet e miratuara nga deputetët e Kuvendit të Kosovës si përfaqësues të popullit.
Projektligji i propozuar nga PDK-ja synon të kufizojë juridiksionin e Gjykatës Speciale vetëm te veprat penale të përmendura në raportin e vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili trajtonte pretendimet për trafikim organesh pas luftës në Kosovë. Gjithashtu, parashikon ndryshimin e periudhës kohore që mbulon Specialja, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000, në periudhën nga 1 korriku i vitit 1999 deri në dhjetorin e vitit 2000. Propozimi kërkon edhe kufizime në juridiksionin territorial, duke e përcaktuar atë vetëm për veprat e kryera brenda territorit të Kosovës. Ndryshimet parashikojnë edhe procedura të përshpejtuara për verifikimin e juridiksionit dhe mundësojnë ankimimin e palëve në Gjykatën Supreme të Kosovës në Prishtinë.
