**Reagimi i Spiropalit pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së: “Gjykata nuk mund ta rishkruajë si projekt kriminal luftën për liri”**

Ish-ministrja Elisa Spiropali ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës së Hagës për dënimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Sipas saj, “Gjykata nuk mund ta rishkruajë si projekt kriminal luftën e një populli për liri.”

Në reagimin e saj, Spiropali thekson se Serbia e Millosheviçit e dënoi Hashim Thaçin me dhjetë vjet burg “për një arsye të vetme: sepse Hashim Thaçi nuk zgjodhi zgjedhën, por rezistencën e armatosur kundër robërisë.”

Ajo vazhdon duke deklaruar se, “sot, në Hagë, nuk u dënuan mizorisht katër individë; Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi. Përmes gjuhës së përdorur dhe rrëfimit politik u dënua ajo çka në fakt për shqiptarët dhe mbarë botën, pavarësisht si e formuluan, ishte një ndërmarrje çlirimtare.”

Spiropali shtron më tej se një gjykatë “mund të përcaktojë përgjegjësi individuale, por nuk mund ta rishkruajë si projekt kriminal luftën e një populli për liri.” Ajo thekson se “UÇK-ja ishte përgjigja ndaj dhunës shtetërore serbe dhe themeli mbi të cilin u ndërtua liria e Kosovës.”

Në fund të deklaratës së saj, ish-ministrja bën thirrje që “Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës duhet të miratojnë menjëherë një rezolutë të përbashkët që mbron të vërtetën historike të luftës çlirimtare dhe kundërshton çdo përpjekje për fajësimin e UÇK-së dhe të një populli të tërë.”