Deputetë të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kërkojnë mbledhje urgjente të komisionit parlamentar: “Ekspozita devijoi historinë e luftës”
Deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë kërkuar një mbledhje urgjente të Komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione. Kërkesa vjen pas shqetësimeve të tyre mbi atë që ata e cilësojnë “devijim dhe deformim të historisë” në lidhje me një ekspozitë të fundit.
Njoftimi u bë nga deputeti i PDK-së, Artan Behrami, i cili, përmes një postimi në rrjetet sociale, theksoi se Kosova po përballet gjithnjë e më shpesh me “tendenca për rishkrim dhe deformim të së vërtetës historike, përmes interpretimeve që shtrembërojnë ngjarje të rëndësishme dhe krijojnë narrativa që bien ndesh me realitetin e dokumentuar.” Behrami citoi se ekspozita në fjalë ishte një “devijim i historisë”.
Kërkesa e përbashkët, e nënshkruar nga Artan Behrami, Sala Jasahri, Armend Zemaj dhe Albana Bytyqi, iu drejtua të hënën kryetares së Komisionit, Fatmire Kollçaku, me kërkesën që mbledhja të thirret urgjentisht.
Mbledhja e komisionit është caktuar të mbahet nesër (e martë) në orën 10:00.
