Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sala Jashari, ka deklaruar se partia e saj nuk do ta votojë presidentin pa arritur një marrëveshje politike gjithëpërfshirëse.
Jashari theksoi se vota për presidentin duhet të jetë pjesë e një ujdie politike, duke shtuar se PDK-ja nuk synon vetëm pushtetin, por edhe përfaqësimin dinjitoz të qytetarëve që e kanë votuar.
Ajo ritheksoi qëndrimin e partisë: “Pa marrëveshje, PDK-ja nuk ka votë për president, gjë që është demokratike. Kam dëgjuar se një pjesë e shoqërisë mendojnë që ne duam pushtet, por ne kemi hyrë në garë për pushtet dhe është krejt normale që duam të jemi pjesë e shërbimit ndaj qytetarëve, sepse për këtë jemi votuar.”
Jashari shtoi se PDK-ja ka kontribuar në ndërtimin e institucioneve të Kosovës dhe se, sipas saj, është e domosdoshme të bëhet një analizë e thellë e proceseve politike. “Është shumë e nevojshme të reflektohet, sepse ne kemi dështuar në shumë etapa dhe në shumë çështje të tjera. Unë besoj se duhet të vlerësohet kontributi i PDK-së për vendin dhe për bazat themelore të një shteti funksional,” u shpreh ajo.
Duke iu referuar qeverisjes së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Jashari tha se shumë prej premtimeve të bëra nuk janë realizuar.
“Unë mendoj se nuk kanë realizuar diçka shumë të rëndësishme nga ato që kanë premtuar. Besoj se fokusi kryesor ka qenë veriu i vendit, duke harruar pjesën tjetër,” deklaroi ajo.
Jashari theksoi se veprimet në veri mund të konsiderohen si arritje, por kritikoi ashpër mënyrën se si, sipas saj, janë lënë anash qytetarët e tjerë. “Arritja për të vendosur një balancë mes trashëgimisë së luftës çlirimtare dhe zhvillimeve në veri është diçka e rëndësishme, por nuk do të thotë që duhet ta lëmë shumicën jashtë këtij kuadri. Nuk duhet të veprosh vetëm në një drejtim dhe të harrosh qytetarin tënd, i cili ka nevojë sot më shumë se kurrë,” përfundoi Jashari, duke iu referuar raportimit të Teve1.
