Vdekja e tre banorëve nga Vushtrria në aksidentin në Shkup: Avokati Koci kërkon informata për ndërtimin dhe sigurinë e rrugës

Avokati i njohur, Arianit Koci, ka kërkuar informata thelbësore mbi aksidentin tragjik në rrugën Shkup-Bllacë, i cili u mori jetën tre bashkëqytetarëve tanë nga Vushtrria.

Përmes një kërkese publike, në cilësinë e avokatit të familjes, Koci synon të zbardhë se kush ka qenë ndërtuesi i këtij segmenti rrugor, kush i ka mbikëqyrur punimet dhe kush ka pasur përgjegjësinë për sigurimin e tij. Kjo kërkesë është transmetuar nga IndeksOnline.

“Në momentin e aksidentit, hyrja nga e cila automjeti hyri në këtë pjesë të rrugës nuk ka qenë e mbyllur fizikisht. Rreth 300 metra më poshtë ndodhet një hyrje tjetër në të njëjtin segment, e cila ka qenë e mbyllur fizikisht. Prandaj, është thelbësore të sqarohet:

– Pse dy hyrjet e të njëjtit segment nuk ishin siguruar në të njëjtën mënyrë?
– A ka qenë hyrja ku kaloi automjeti e mbyllur fizikisht në ditët apo javët para aksidentit?
– Nëse po, deri kur dhe kur ka ndryshuar kjo gjendje?
– Kush e ka bërë mbylljen fizike të kësaj hyrjeje pas aksidentit, kur dhe me urdhër të kujt?” shkruan Koci në kërkesën e tij.

Avokati apelon që kushdo që ka fotografi, video, dokumente ose çfarëdo informate tjetër që mund të ndihmojë në zbardhjen e këtij rasti, t’ia dërgojë atij me shkrim, në cilëndo formë.

Ndërkohë, Koci është angazhuar me paraqitjen e provave dhe procedimin e rastit në Maqedoninë e Veriut, dy ditë pasi kërkoi publikisht llogari për aksidentin fatal.

Ejup Tërnava, Xhenet Tërnava dhe Fatmire Shabani ndërruan jetë pas një aksidenti të rëndë në Shkup, më 19 korrik.