**Dëshmitarja e sulmit në Ibër-Lepenc tregon dëmet: “Themeli i shtëpisë lëvizi, mendova se ishte tërmet”**
Milena Pashpereviq, dëshmitare dhe palë e dëmtuar nga sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, ka dëshmuar për dëmet e shkaktuara në shtëpinë e saj nga shpërthimi i ndodhur më 29 nëntor 2024 në Varagë të Zubin Potokut.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorisë, Pashpereviq rrëfeu se në momentin e shpërthimit ishte vetëm në shtëpi dhe tronditja e bëri të mendonte se ishte një tërmet. Ajo theksoi se shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme.
“Isha shtrirë në shtëpinë time, askush tjetër nuk ishte, bashkëshorti im ishte në udhëtim,” tha ajo. “Më kujtohet një detonim shumë i madh, besoj se ishte errësirë, sepse kur erdhën makinat ishte natë. Kur dola dhe pashë një sasi të madhe uji që vinte drejt shtëpisë sime, makinat u ndalën. Shtëpia ime ndodhet poshtë rrugës kryesore, ndërsa ngjarja ndodhi mbi të.”
Ajo përshkroi momentet pas shpërthimit, duke thënë se tronditja ishte aq e madhe saqë dëmtuan pjesë të shtëpisë.
“Detonimi ishte i fortë, shtëpia u shkund, themeli i shtëpisë lëvizi, dhe tubi i oxhakut doli nga vendi. Në ato momente mendova mos ishte ndonjë tërmet. Fillimisht pashë nga dritarja, pasi dëgjova shpërthimin, pashë atë sasi të madhe uji, telefonova nënën. Kërkova ndihmë dhe telefonova prindërit që të vinin, pasi ndodhen në fshat, për të parë çfarë po ndodhte,” deklaroi ajo.
Pashpereviq shtoi se në ato momente ishte shumë e shqetësuar dhe e frikësuar, pasi ndodhej vetëm në shtëpi dhe nuk kishte fqinj afër.
Lidhur me dëmet, dëshmitarja bëri të ditur se kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, e kishte ndihmuar me 1,300 euro, por theksoi se kjo shumë nuk e kishte kompensuar dëmin e plotë. E pyetur nga prokuroria nëse kërkon dëmshpërblim nga të akuzuarit, ajo u përgjigj shkurt: “Jo”.
Prokuroria Speciale, pas një hetimi të kryer në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë Kundër Terrorizmit, dhe me partnerët evropianë, ka ngritur aktakuzë kundër Jovan Viqentijeviqit, Dragisha Viqentijeviqit dhe Igor Dimoviqit. Ata akuzohen për vepra penale si rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrim apo dëmtim të instalimeve dhe pajisjeve publike, kryerje e veprës terroriste, armëmbajtje pa leje dhe spiunazh.
Sipas aktakuzës, më 29 nëntor 2024, në fshatin Varagë të Zubin Potokut, të pandehurit Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, në bashkëpunim me disa persona të tjerë ende të paidentifikuar, pas një marrëveshjeje paraprake, vendosën rreth 20 kilogramë eksploziv të llojit TNT brenda kanalit të Ibër-Lepencit.
Prokuroria pretendon se vëllezërit Viqentijeviq aktivizuan lëndën shpërthyese me anë të një çante të lidhur me litar në një shtyllë betoni. Si pasojë, struktura e kanalit u dëmtua rëndë, u ndërpre furnizimi me ujë të pijshëm dhe u rrezikua prodhimi i energjisë elektrike. Aktakuza thekson se ndërmarrjes Ibër-Lepenc i është shkaktuar një dëm prej 376,774.70 eurosh.
Jovan Viqentijeviq akuzohet edhe për spiunazh, ndërsa Igor Dimoviq akuzohet për armëmbajtje pa leje. Sipas aktakuzës, Jovan Viqentijeviq, deri në momentin e arrestimit, kishte vepruar si i rekrutuar i Shërbimit Informativ Ushtarak të Serbisë, në cilësinë e kolonelit, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara, me qëllim përdorimin e tyre në aktivitete të kundërligjshme në territorin e Kosovës.
