Ka dështuar përpjekja e një grupi të pakënaqurish brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për të iniciuar mbajtjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Kuvendit të partisë, ku synohej të hidhej në votim kërkesa për shkarkimin e kryetarit, Lumir Abdixhiku.
Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se nisma nuk ka arritur të sigurojë numrin e nevojshëm të nënshkrimeve për të proceduar më tej. Sipas të njëjtave burime, të pakënaqurit nuk kanë arritur t’i mbledhin 110 nënshkrimet e nevojshme, duke bërë që iniciativa të dështojë.
Pas këtij zhvillimi, Abdixhiku vazhdon të gëzojë stabilitet në lidershipin e LDK-së, ndërsa tentativa e grupit të pakënaqur për të sfiduar drejtimin e partisë nuk ka marrë mbështetjen e kërkuar, raporton Indeksonline.
Mungesa e numrit të nevojshëm të nënshkrimeve e ka bërë të pamundur procedimin e iniciativës për mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të LDK-së.
