**Aksident i rëndë në rrugën Gjakovë-Klinë: Dhjetë të lënduar dhe dëme të mëdha materiale**

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, rreth orës 18:30, në rrugën magjistrale Gjakovë–Klinë, saktësisht në fshatin Mrasor. Në aksident janë përfshirë dy automjete, duke lënë dhjetë persona të lënduar dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Lajmi është konfirmuar nga Vlera Krasniqi, zëdhënëse në Policinë Rajonale të Gjakovës.

Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës ka dhënë detaje lidhur me gjendjen shëndetësore të të lënduarve. Fillimisht, janë pranuar për ekzaminim mjekësor 10 persona. Nga këta, dy prej tyre janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejshëm. Pesë të tjerë janë pranuar në Repartin e Ortopedisë, një në Repartin e Kirurgjisë dhe një në Repartin e Gjinekologjisë, ky i fundit një paciente shtatzënë. Një person është liruar pas trajtimit, për të vazhduar shërimin në shtëpi.

Mediumi lokal “Klina info” ka publikuar pamje të automjeteve të aksidentuara, të cilat kanë pësuar dëme të konsiderueshme.