Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë konfirmuar se ende nuk është caktuar një datë për shpalljen e aktgjykimit në rastin e Hashim Thaçit dhe të akuzuarve të tjerë, lidhur me akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë.

Në një përgjigje për IndeksOnline, Dhomat e Specializuara sqaruan se pas përfundimit të shqyrtimit të çështjes nga gjyqtari i vetëm gjykues, Christopher Gosnell, ai ka një afat 90-ditor për të nxjerrë aktgjykimin.

Në rast nevoje për më shumë kohë, ky afat mund të zgjatet edhe me 60 ditë të tjera, ndërsa zgjatje të mëtejshme janë të mundshme në rrethana të jashtëzakonshme, thuhet në përgjigjen e tyre. Megjithatë, deri më tani, gjyqtari Gosnell nuk ka caktuar një datë konkrete për shpalljen e vendimit.

Lidhur me dënimin e mundshëm, Dhomat e Specializuara theksuan se vendimi i takon gjyqtarit Gosnell. Ato pohuan se, gjatë vendosjes së dënimit, gjyqtarët përgjithësisht marrin parasysh gamën e dënimit të parashikuar nga ligji, rrethanat personale të të dënuarit, si dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

“Prokuroria dhe mbrojtja mund të paraqesin qëndrimet e tyre në lidhje me këtë çështje, por vendimi përfundimtar për dënimin i takon gjyqtarit të vetëm,” sipas përgjigjes së Dhomave Specializuara për IndeksOnline.

Rasti i pengimit të administrimit të drejtësisë është i ndarë nga çështja kryesore ndaj Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, në të cilën Thaçi u dënua me 25 vjet burgim.

Prokuroria ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Thaçin në rastin aktual. Sipas kërkesës së saj, nëse koha e kaluar në paraburgim nuk do të zbritet nga ky dënim, atëherë, në kombinim me dënimin prej 25 vjetësh të shqiptuar në çështjen kryesore, dënimi total do të shkonte në 31 vjet.