Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë shpreh shqetësimin lidhur me publikimin në faqen e internetit të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të dokumenteve që përmbajnë të dhëna të bizneseve dhe të pronarëve të tyre.
“DHTIK ka pranuar ankesa nga bizneset anëtare lidhur me lejimin e qasjes së plotë në dokumentet si; statuti dhe marrëveshjet e shoqërisë, duke përfshirë këtu edhe të dhënat personale të pronarëve dhe personave të autorizuar, të cilat, që janë të ndaluara me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, thuhet në reagimin e DHTIK-së.
Publikimi i këtyre dokumenteve me këto të dhëna mund të cenojë konfidencialitetin e marrëdhënieve kontraktuale dhe afariste.
Andaj, DHTIK i bën thirrje institucioneve përgjegjëse për ndërmarrje të veprimeve urgjente për të adresuar këto çështje, si dhe të kërkohet përgjegjësi nga personat përgjegjës.
