SHPEND GUDAQI

Në sallën e madhe të kinemasë, vetëm katër veta po e shihnim filmin satirik Digger të regjisorit të njohur meksikan Alejandro González Iñárritu.

 Është një film që pickon nerva të ndjeshëm, nga bota e korporatave te ajo e politikës, aty ku paraja, pushteti dhe kontrolli i korporatave të fuqishme mbi institucionet takohen në mënyra që e rrezikojnë të ardhmen dhe interesin e përbashkët, e zhvleftësojnë demokracinë dhe e pamundësojnë barazinë dhe drejtësinë.

Tom Cruise, të cilin jemi mësuar ta shohim në filma aksion si heroin e përsosur që shfaqet në momentin e duhur për ta shpëtuar botën, këtë herë luan me mjeshtëri një personazh krejt tjetër. Ose, më saktë, personifikon një aktor që interpreton një personazh krejt tjetër. Cruise është Curtis Marksoni, i zgjedhur për të luajtur rolin e Digger Rockwell-it, një tajkuni ekscentrik të naftës, pasuria dhe pushteti i të cilit e kanë bërë njeriun më të fuqishëm në botë. Një njeri që nuk mjaftohet me pasurinë marramendëse, por ka edhe ndikim të pakufizuar mbi vendimet politike dhe institucionet, e kështu mbi fatin e miliona njerëzve.

Rockwell nuk është thjesht karikatura e një miliarderi që jeton larg halleve të njerëzve të zakonshëm. Ai është shkaktari në qendër të një katastrofe klimatike me përmasa globale. Një operacion për shpimin e burimeve të naftës në Groenlandë nga korporata e tij shkakton shkëputjen e një mase gjigante akulli, e cila niset drejt Evropës dhe kërcënon jetët e miliona njerëzve. Ajo që në fillim mund të duket si një tjetër histori katastrofe, me një pasanik në qendër, gradualisht merr një kuptim të pakëndshëm dhe të frikshëm.

Por Iñárritu nuk e rrëfen këtë histori në mënyrë të parashikueshme, çfarë edhe e bën gjenial këtë krijim. Në fillim, Rockwell-in e gjejmë në rezidencën e tij luksoze, teksa zgjohet nga gjumi në shtratin ku fle me macen e tij, Megin. Perdet hapen për të zbuluar peizazhin idilik, ndërkohë që brenda rezidencës, pasuria e demonstruar në mënyrë insistuese, kafshët e balsamosura, pasqyrat e mëdha e skulpturat që e madhërojnë figurën dhe egon e tij, krijojnë portretin e një njeriu të vetmuar, por të fuqishëm, të zhytur në universin e lakmisë për kontroll dhe posedim.

Pastaj ndodh diçka që duket krejt e parëndësishme dhe vetëm një ngjarje tjetër në rendin e skenave komike. Pasi Presidenti amerikan Compson shkon te rezidenca e tij me urgjencë, pas lajmit për shkëputjen e masës gjigante të akullit, gjatë një dialogu, teksa qëndrojnë këmbë pranë dritares, një pemë rrëzohet dhe në kuadër del një teknik skene për ta rregulluar. Aty kuptohet se ajo që kemi parë nuk është pikërisht ajo që po mendonim. Rezidenca, peizazhi, retë, avionët dhe madje edhe disa prej elementeve që mund të ishin realë, janë pjesë e një skenografie. Pra, po xhirohej filmi Fossil Fools. Kjo kthesë ndryshon jo vetëm kuptimin e ngjarjes, por edhe i rindërton skenat e mëparshme.

Fossil Fools, brenda Digger, nuk është një histori e trilluar për një pasanik të papërgjegjshëm dhe katastrofën që ai shkakton. Digger Rockwell-i ka qenë një person real dhe katastrofa ka ndodhur vërtet.  Është jashtëzakonisht provokues mesazhi politik i filmit, sepse ai vjen në një moment kur pasiguria globale po rritet në forma të ndryshme. Nga luftërat, krizat politike dhe ekonomike, te rreziqet mjedisore dhe transformimet e paparashikueshme teknologjike.

Kjo është arsyeja pse Digger është shumë më shumë se një film për një pasanik kontravers. Sepse katastrofa që paraqet nuk është vetëm ajo që ndodh kur një masë gjigante akulli shkëputet nga Groenlanda dhe kërcënon Evropën. Është edhe katastrofa morale dhe politike që nis shumë më herët, në momentin kur dikujt ia merr mendja se mund ta rrezikojë edhe fatin e planetit për interesat e veta.

Në këtë pikë, Digger më kujton edhe një film jo shumë të vjetër, Don’t Look Up. Një kometë kërcënon ta shkatërrojë planetin, por paralajmërimet e shkencëtarëve kthehen në debate argëtuese televizive, trajtohen si konspiracione dhe bëhen spektakël në rrjete sociale. Në vend që të përballen me rrezikun, institucionet dhe publiku e konsumojnë atë si lajm dhe argëtim, ndërsa lakmia e një magnati që kërkon ta eksploatojë pasurinë minerare të kometës e bën përfundimisht katastrofën të pashmangshme.

Atë që demonstrojnë më së miri Digger dhe Don’t Look Up është kalbja e ngadaltë e mendimit kritik dhe logjikës. Njerëzit po rehatohen në konformitetin e një jete pa mendim dhe nuk lodhen më me pyetje të vështira. Jemi të mbytur nga informacionet, por gjithnjë e më pak kemi aftësinë të mendojmë dhe çfarë është më e rëndësishme, të veprojmë.

Te Digger, edhe kur studimet shkencore të ekspertëve të tij dëshmojnë katastrofën e madhe që po ndodh, Rockwell nuk pranon t’i ndalë shpimet. Përkundrazi, ai kërkon ta kontrollojë narrativën, përmes kurdisjes së algoritmeve në media e rrjete sociale. Filmi synon të tregojë se në një kohë kur luftërat, krizat dhe teknologjia po e bëjnë botën gjithnjë e më të vështirë për t’u kuptuar, jo vetëm që rrezikojmë të mos e shohim të vërtetën, por rrezikojmë edhe më shumë të humbasim interesimin për ta parë atë. Dhe katastrofën që mund të na gjejë një ditë, mund ta përjetojmë vetëm si një spektakël të madh dhe të fundit.