Drita e ka marrë fitoren e dytë radhazi në Superligën e Kosovës, pasi triumfoi në udhëtim te Llapi.

Skuadra gjilanase fitoi 2-1 ndaj Llapit në ndeshjen e luajtur në kuadër të xhiros së dhjetë në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Të besuarit e Ardian Nuhiut fituan pas dy golave të shpejtë të shënuar në fillim të pjesës së dytë, pasi ajo e para u mbyll pa gola.

Vesel Limaj shënoi në minutën e 47-të, me një goditje me të majtën, derisa pas tre minutash epërsinë e dyfishoi Liridon Balaj.

Balaj e shfrytëzoi më së miri një gabim të mbrojtësit Benjamin Emini, për të dalur një-kundër-një me portierin llapjan dhe për ta kaluar edhe atë e për të shënuar në portën bosh.

Më pas, Llapi pati iniciativën, derisa arriti të shënojë më në fund në minutën e 78-të, me anë të Arbnor Aliut.

Llapi nuk bëri më shumë deri në fund të ndeshjes, kështu me Dritën që del me pikët e plota nga ky takim.

Me këtë fitore, Drita shkon në kuotën e 17 pikëve, tri më pak se Prishtina në vendin e dytë dhe Malisheva në vendin e parë. Të dyja ende s’kanë luajtur në këtë xhiro.

Ndërkohë, Llapi mbetet në kuotën e katër pikëve, në vendin e nëntë në tabelë./GazetaExpress/