**Digjet vetura e profesoreshës universitare në parkingun e Bibliotekës Kombëtare**

Një veturë ka marrë flakë dhe është djegur në orët e para të mëngjesit të sotëm në parkingun e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë. Mësohet se automjeti i përket profesoreshës universitare, Njomza Llullaku.

Incidenti ka ndodhur rreth orës 04:00. Flakët kanë përfshirë një pjesë të konsiderueshme të veturës, por fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.

Policia e Kosovës ka mbërritur në vendngjarje menjëherë pas raportimit të incidentit dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në zjarr.

Sipas burimeve të IndeksOnline, profesoresha Llullaku e kishte parkuar automjetin në lokacionin në fjalë më 17 nëntor, pasi ishte nisur për një udhëtim zyrtar jashtë vendit.

Shkaqet e zjarrit mbeten ende të panjohura dhe po hetohen nga autoritetet kompetente.