Dikur një yll i madh i futbollit, tani në një gjendje shqetësuese për shkak të varësisë. Ish-lojtari i Kombëtares së Argjentinës dhe ish-ylli i PSG-së e Napolit, Ezequiel ‘Pocho’ Lavezzi, 41 vjeç, ka shqetësuar dhe befasuar publikun e tifozët e tij.
Gjatë një interviste në Napoli, tifozët vunë re dridhje të theksuar në duart e tij, ç’gjë ngjalli menjëherë shqetësime serioze për shëndetin e tij. Gazetarja argjentinase Laura Ubfal shpjegoi se simptomat e vëzhguara ka shumë gjasa të jenë pasojë e trajtimit dhe terapisë afatgjatë të cilës ai i është nënshtruar.
“Pocho është në proces rehabilitimi për çështje të shëndetit mendor që burojnë nga varësia. Ajo që u pa në kamera ka shumë gjasa të lidhet me terapinë e përshkruar me ilaçe”, theksoi Laura Ubfal.
Vetë Lavezzi ka folur më herët hapur për betejën e tij të vështirë me varësinë, duke pranuar se përjetoi momente tejet të errëta para se të vendoste të kërkonte ndihmë.
Ish-sulmuesi, i cili ka veshur fanellën e San Lorenzos, Genoas, Napolit dhe PSG-së gjatë karrierës së tij të pasur, vazhdon luftën e përditshme kundër varësisë me mbështetjen e ekspertëve dhe të familjes.
