Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se së shpejti do të shqyrtojë një plan të ri të propozuar nga Irani, por shprehu skepticizëm të thellë, duke thënë se “nuk e imagjinoj dot që do të jetë i pranueshëm”. Këto komente Trump i bëri të shtunën mbrëma, ndërsa hipte në avionin presidencial Air Force One në Florida.

“Ata më informuan rreth konceptit të marrëveshjes. Tani do të ma dërgojnë formulimin e saktë”, u tha ai gazetarëve.

Ndërkohë, agjencia iraniane e lajmeve Tasnim, e cila është e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit, raportoi të shtunën se Irani ka paraqitur një përgjigje me 14 pika ndaj një propozimi të Shteteve të Bashkuara.

Sipas Tasnim, SHBA-ja kishte propozuar një armëpushim dy-mujor, por Irani beson se “çështjet duhet të zgjidhen brenda 30 ditësh” dhe se negociatat duhet të përqendrohen në “përfundimin e luftës”, në vend të thjesht zgjatjes së një armëpushimi. Zyrtarët iranianë ende nuk kanë komentuar publikisht mbi detajet e kësaj përgjigjeje të raportuar.

Presidenti Trump gjithashtu mohoi deklaratat e bëra të premten në mbrëmje, kur kishte thënë: “Sinqerisht, ndoshta është më mirë të mos bëjmë fare një marrëveshje. A e doni të vërtetën? Sepse nuk mund ta lejojmë këtë gjë të vazhdojë.”

Të shtunën, Trump u shpreh: “Unë nuk e thashë këtë. Thashë se nëse tërhiqemi tani, do t’u duheshin 20 vjet për t’u rimëkëmbur. Por ne nuk po tërhiqemi tani”, u tha ai gazetarëve.