Dogana e Kosovës shënon rekord: Arkëton mbi 1 miliard euro të hyra
Dogana e Kosovës ka arritur të arkëtojë deri më sot 1 miliard e 7 milionë euro të hyra, duke shënuar një rritje prej 5.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ishin arkëtuar 955 milionë euro.
Ky sukses është rezultat i disa faktorëve kyç:
* Performanca e qëndrueshme ekonomike dhe bashkëpunimi i ngushtë me sektorin privat;
* Respektimi i rregullave ligjore nga komuniteti i biznesit;
* Rritja e efikasitetit në luftimin e ekonomisë joformale dhe krijimi i lehtësirave tregtare.
Një nga zhvillimet më të rëndësishme të këtij viti është zbatimi i sistemit të deklarimit paraprak të mallrave. Ky hap vjen pas shtetëzimit të plotë të terminaleve doganore, sipas vendimit të Kryeministrit, si dhe heqjes së pagesave për to. Kjo çështje, e cila ishte adresuar për vite me radhë në Raportin e Progresit, vitin e kaluar u vlerësua si e tejkaluar. Rezultatet e para të këtij sistemi janë mjaft pozitive dhe janë mirëpritur nga komuniteti i tregtarëve.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në vazhdimin e përpjekjeve për avancimin e mëtejshëm të kapaciteteve të saj operative.
