Përplasje në Kuvend: Vlora Çitaku dhe Albulena Haxhiu debatojnë për statusin e institucionit
**Prishtinë** – Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, është paraqitur në sallën e Kuvendit, ku po priteshin bashkatdhetarë dhe të rinj për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë. Aty, Çitaku deklaroi se Kuvendi është i suspenduar dhe se dyert e sallës janë të mbyllura për deputetët e zgjedhur.
Ndërsa Çitaku fliste, pas saj qëndronte deputetja Albulena Haxhiu, e cila në atë kohë ishte pjesë e kryesisë së Kuvendit, dhe tentoi ta kundërshtonte.
“Kuvendi i Kosovës është i suspenduar, unë jam deputete e zgjedhur, të gjithë këta janë deputetë të zgjedhur, këto dyer janë të mbyllura për ne,” tha Çitaku.
Menjëherë ndërhyri Haxhiu duke thënë: “Jo, jo, të hapura janë.”
Por, Çitaku vazhdoi fjalën e saj drejtuar vizitorëve të pranishëm.
“Mua po më vjen mirë që janë hapur për juve. Por, Kuvendi nuk është thjesht objekt, nuk është një ndërtesë me tulla, është institucion,” theksoi Çitaku. Ajo shtoi: “Është dhënë gjak, mund, djersë, sakrificë, që Kosova të ketë institucione, të ketë Kushtetutë.”
Pas këtyre fjalëve, Çitaku u duartrokit nga të pranishmit, ndërsa u dëgjuan disa kërkesa për thirrjen e seancës. “Thirreni seancën!” thirrën disa.
Çitaku vijoi duke theksuar se “nuk guxojmë të sillemi sikur asgjë të mos po ndodhte.”
