Hoti demanton raportimet: Nuk u është hequr statusi i dëshmorit Ahmet Krasniqit, Fehmi Aganit dhe të tjerëve

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, përmes ministrit Andin Hoti, ka demantuar kategorikisht raportimet e fundit se Qeveria e Kosovës ka hequr statusin e dëshmorit personaliteteve të rëndësishme si Ahmet Krasniqi, Fehmi Agani, Enver Maloku dhe Bajram Kelmendi.

Përmes një reagimi në Facebook, ministri Hoti i ka cilësuar këto raportime si të pavërteta dhe manipuluese. Ai theksoi se as Ministria dhe as Qeveria nuk kanë marrë asnjë vendim të tillë lidhur me heqjen e këtij statusi.

Hoti sqaroi se Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit e ka përfunduar punën vite më parë dhe tashmë nuk funksionon si mekanizëm.

Ai bëri të ditur se të gjithë personat e përmendur vazhdojnë të gëzojnë statusin e dëshmorit dhe të drejtat pensionale në bazë të legjislacionit në fuqi. “Asnjërit prej tyre nuk i është hequr statusi apo e drejta në pension!” shkroi Hoti.

Ministri e quajti “skandaloze” përpjekjen për të krijuar bindjen se institucionet kanë marrë vendime inekzistente, përmes “titujve bombastikë” dhe teksteve tendencioze. “Ky nuk është gazetari, as raportim dhe as informim. Ky është dezinformim dhe manipulim i rëndë i opinionit publik!” shtoi ai.

Hoti kritikoi ashpër edhe mediat që publikuan këto pretendime, duke theksuar se nuk kishin marrë mundin më të vogël për të kërkuar një sqarim nga Ministria para publikimit. Ai theksoi se verifikimi i informacionit dhe marrja e qëndrimit të palës përkatëse janë përgjegjësi themelore të gazetarisë, sidomos kur bëhet fjalë për çështje kaq të ndjeshme për familjet e dëshmorëve dhe opinionin publik.