**Dogana zbulon 300 produkte për mbrojtjen e bimëve të padeklaruara në Vërmicë**
Dogana e Kosovës ka parandaluar një tentativë për kontrabandim të 300 produkteve për mbrojtjen e bimëve në pikën kufitare në Vërmicë.
Sipas njoftimit të Doganës, ngjarja ka ndodhur gjatë kontrollit të një kamioni me mallra që po hynte në Kosovë. Një zyrtar doganor vërejti një hapësirë të modifikuar në automjet, teksa po kryheshin kontrollet rutinë dhe vendosja e vulës doganore.
Kur u pyet nëse kishte mallra të tjera për të deklaruar, drejtuesi i kamionit mohoi praninë e ndonjë malli shtesë.
Megjithatë, gjatë kontrollit të imtësishëm të hapësirës së dyshimtë, zyrtarët gjetën disa qese. Shoferi kishte pohuar se ato përmbanin rroba personale, por kontrolli i detajuar zbuloi brenda 300 produkte për mbrojtjen e bimëve, për të cilat nuk ekzistonte as faturë, as dokumentacion përkatës.
Lidhur me këtë rast, Dogana ka iniciuar procedurë kundërvajtëse në përputhje me Kodin Doganor dhe të Akcizave.
Dogana e Kosovës ritheksoi angazhimin e saj për të vazhduar kontrollet e rrepta, me qëllim parandalimin e kontrabandës dhe futjes së mallrave të padeklaruara, të cilat mund të përbëjnë rrezik serioz për shëndetin publik, mjedisin dhe bujqësinë.
